Protestë e Fakultetit të Bujqësisë dhe të Veterinarisë: KEDS-i po bllokon shfrytëzimin e objektit 7 milionësh, rrezikohet akreditimi

Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë (FBV) i Universitetit të Prishtinës ka organizuar sot një protestë pranë një objekti të KEDS-i, për të ngritur zërin ndaj bllokadës që po pengon shfrytëzimin e objektit të ri të fakultetit, i cili ka kushtuar rreth 7 milionë euro. Ndërtesa, e ndërtuar vite më parë për nevojat e fakultetit, vazhdon të mos funksionalizohet për shkak të okupimit të hapësirave përreth nga KEDS-i.

Negociatat mes Universitetit të Prishtinës dhe KEDS-i kanë dështuar, pasi kompania energjetike nuk ka pranuar lirimin e disa objekteve të saj, të cilat sipas UP-së janë pengesa kryesore për vënien në funksion të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë. Zyrtarët e fakultetit paralajmërojnë se ky ngërç po rrezikon seriozisht akreditimin e institucionit duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e studimeve dhe të ardhmen akademike të studentëve.

Aksioni i sotëm është konsideruar simbolik, por UP-ja ka njoftuar se në ditët në vijim protestat do të intensifikohen. Nëse KEDS-i nuk ndërmerr hapa për zgjidhjen e situatës, fakulteti paralajmëron masa më të mëdha dhe bllokada të reja deri në zhbllokimin e plotë të objektit.

Studentët dhe stafi akademik theksojnë se nuk mund të vazhdohet më me vonesa të tilla, ndërsa i bëjnë apel institucioneve qendrore të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar funksionalizimin e një investimi publik madhor që prej vitesh qëndron i pashfrytëzuar. /Kosova.info/


Go to TOP