Promovohet libri `Pas natës`
Në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të shtunën është përuruar romani më i ri i autorit Muharrem Elezi, me titullin “Pas natës”.
Gjatë promovimit, profesoresha Nazmije Hasani lexoi fragmente nga romani, duke thënë se libri ngërthen qindra tregime dhe se është i mbushur me emocione të forta.
“Ky roman me titullin që ka, na imponon një rrëfim të nevojshëm sepse pas një nate të gjatë me plot sfida, kalojmë në dritë të ditës që na mundëson ta fillojmë një jetë tjetër pas aventurave të natës, pas anktheve, ëndrrave të këqija dhe sakrificave që lam prapa, vuajtje, brenga dhe të papritura nga nëpërkëmbësit, ta pamoralshmit, fajdexhinjtë”, tha Nazmije Hasani, profesoreshë.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, e vlerësoi romanin si një prozë artistike të mbështetur në dokumentarizëm, duke theksuar trajtimin e ngjarjeve të rëndësishme të historisë dhe jetës shqiptare, përfshirë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe masakrën e Reçakut.
“Personazhet që ndërtojnë ngjarje të njëpasnjëshme në fakt janë 17 tregime me një epilog që realisht quhet dhe roman. Romani “Pas natës” ngërthen ngjarje dramatike, situata që ndërtohen me shumë kujdes dhe më një gjuhë tejet të lidhur kuptimisht sidomos pjesa rrëfimore që përmban pjesën dërrmuese të veprës. Shkrimtari Muharrem Elezi, ka një koncept të qartë kur mbështetet në ngjarje të caktuara të cilat lëvizin nga një kënd në tjetrin, nga një botë dhe ndërlidhen me veprime kurioze të personazheve, të cilat herë lumturohen e herë tjetër fundosen”, tha ai.
Ndërsa autori Muharrem Elezi, në fjalën e tij falënderuese, tregoi se inspirimin për këtë roman e ka marrë nga vajza e tij.
“Për romane që ia fillova me shkru, “fajtore” është vajza ime se unë përsëri fillore me përmbledhje tregimesh. Dy vajzat e mija më thanë: Jo babë. duhet të fillosh me romane sepse tërë jeta të ka shkuar duke lexuar romane që do të thotë nuk kam pushu asnjëherë duke lexuar”, tha ai.
Muharrem Elezi deri më tani ka botuar gjashtë vepra, pesë prej të cilave janë romane.
