KGJK hap konkurs për gjyqtarë nga komuniteti serb
Gjykata Themelore në Mitrovicë është përballur për një kohë të gjatë me mungesën e gjyqtarëve nga komuniteti serb. Megjithatë, këto pozita ishin plotësuar në mënyrë që procesi i punës në gjykatë të mos e humbë efikasitetin. Sipas statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, performanca ka arritur mbi 100% të procesit në punë.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, për RTK-në kohë më parë ka deklaruar se gjyqësori ka qëndruar konsekuent në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një proces i tillë do ta politizonte sistemin e drejtësisë.
Të premten, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka hapur konkurs për gjyqtarë nga komuniteti serb, për tetë pozita në nivelin e Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës.
Në takimin e 351-të, të KGJK-së gjithashtu ka vendosur për shpalljen e konkursit për rekrutimin dhe ka themeluar Komisionin për rekrutimin e kandidatëve, si dhe Komisionin për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për gjyqtarë nga komuniteti serb.
Në të njëjtin vit, edhe prokurorët serbë në Prokurorinë e Mitrovicës dhanë dorëheqje. Fillimisht, Prokuroria përballoi vështirësi në funksionim, por më pas u mobilizua me staf për t’i kryer detyrat e saj. Pavarësisht kësaj, Këshilli Prokurorial ka hapur konkurs për prokurorë të komunitetit serb në vitin 2024.
Nga Këshilli Prokurorial, i kanë thënë RTK-së se asnjë prokuror nga komuniteti serb nuk kishte aplikuar për këtë konkurs.
KPK thekson se konkursi ishte i hapur për të gjitha komunitetet e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb, dhe kishte për qëllim përforcimin e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë në sistemin e drejtësisë.
Më 10 shtator 2024, Këshilli Prokurorial i Kosovës njoftoi se pas shpalljes së një konkursi tjetër dhe zhvillimit të procesit të rekrutimit të 24 prokurorëve të rinj, katër vende ishin të rezervuara për prokurorët nga komuniteti serb.
Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kishin targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
