Promovohet libri i veprimtarit të LDK Mustafa-Rama: Kosova humbi një nga intelektualët e shquar

Xhemail Mustafa, figurë e shquar dhe një ndër shtyllat e lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kështu theksoi kreu i Prishtinës Përparim Rama me rastin e promovimit të librit të veprimtarit të ndjerë të LDK Xhemail Mustafa. Në këtë libër janë përmbledhë pjesë të shkrimeve të tij.

Me këtë rast Rama e quajti Mustafën një burrë të guximshëm dhe vizionar, që la pasuri të çmuar në formën e veprave të tij dhe në veprimtarinë e tij politike, duke kontribuuar në kauzën e Kosovës për çlirim dhe pavarësi.

“Pas humbjes së tij në nëntor të vitit 2000, Kosova e humbi një nga intelektualët dhe liderët e saj më të shquar, këshilltarin e afërt të Presidentit Rugova dhe një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Rama.

Në vijim ai tha se kontributi i tij si publicist, shkrimtar dhe veprimtar politik, e ka bërë atë një figurë të paharrueshme, jo vetëm për brezat e tij, por edhe për ata që do të vijojnë.

“Në veprat e tij, Xhemail Mustafa ka lënë gjurmë të pashlyeshme. “Një lutje për Prishtinën” ishte vepra e fundit që Xhemail Mustafa na e la. 78 net frikë e kurajë e shpresë i përshkroi në librin e tij. 78 ditët e bombardimeve të NATO-s, në Kosovë, ku për asnjë moment ai nuk e la Prishtinën, prej ku punoj fortë deri në nëntor të 2000, kur përfundimisht Prishtina dhe Kosova humbi një njëri të madh”, tha Rama.

Ai nënvizoi më te se Mustafa luftoi për të artikuluar ëndrrën e Kosovës për liri dhe pavarësi, duke informuar dhe mobilizuar opinionin publik, si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht.

“Guximi dhe vizioni i tij ishin të jashtëzakonshme, dhe dedikimi i tij për Kosovën do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë. Mirënjohje për Profesorin Ibrahim Berisha, njëri nga bashkëpunëtorët dhe shokët e tij më të afërt, bashkëthemelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kontribues të pashoq në çështjet politike të viteve 90-ta, që përmblodhi veprat e Xhemail Mustafës. Veprimtaria e personaliteteve të tilla, duhet të mbeten të faktuar në historinë e re të Kosovës, të cilës ata i dhanë kthesë”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP