“Marigona” publikon këngën e fundit para koncertit lamtumirës

Dy ditë para koncertit lamtumirës të karrierës së tyre, grupi muzikor “Marigona” ka publikuar këngën e fundit “Nuk është”.

Dy ditë para koncertit të fundit të karrierës, grupi muzikor “Marigona” ka publikuar këngën e tyre të re dhe të fundit me titull “Nuk është”.

Në bashkëpunim me sopranon Zana Abazi Ramadani, grupi ka përmbyllur rrugëtimin e tij krijues me këtë projekt muzikor.

“Nuk është” vjen pas dy këngëve të publikuara më herët, “Ma Merr Malli” dhe “Jemi Këtu”, të cilat ishin paralajmërime për koncertin lamtumirës “Përjetë”, që do të mbahet të shtunën.

Me këtë koncert, “Marigona” do t’i japë fund një karriere të gjatë muzikore, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në skenën muzikore shqiptare.

Bendi do të ngjitet për të fundit herë në skenë, duke sjellë këngë nga vitet e para të krijimeve të tyre e deri më sot.

Koncerti do të mbahet në AMC Hall në Obiliq, teksa Radio Televizioni i Kosovës është sponsori medial i ngjarjes.

Anëtarët e bendit në një intervistë dhënë për RTK-në kanë ndarë detaje nga përgatitja e koncertit, provat, këngët që do të interpretohen dhe gjithçka tjetër që e pret publikun më 18 korrik.


Go to TOP