Prokurorët koordinatorë diskutojnë sfidat dhe statistikat për luftimin e trafikimit me njerëz

Sot, është mbajtur takimi i radhës i prokurorëve koordinatorë për rastet e trafikimit me njerëz dhe prokurorëve nga departamentet për të mitur të Prokurorive Themelore dhe Prokurorisë së Apelit.

Znj. Sebahate Sinani, Koordinatore për rastet e trafikimit me njerëz, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet prokurorive në luftën kundër trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave.

Në kuadër të këtij takimi, pjesëmarrësit diskutuan dhe prezantuan statistikat e periudhës janar – maj 2025 duke raportuar për secilën prokurori mbi numrin e rasteve të trashëguara, të pranuara dhe të përfunduara që lidhen me veprat penale si: Skllavëria, kushtet e ngjashme me skllavërinë dhe puna e detyruar (neni 163), Trafikimi me njerëz (neni 165), Fshehja e dokumenteve të identifikimit të viktimave të skllavërisë ose trafikimit me njerëz (neni 166), Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit (neni 228), si dhe Martesa e detyruar (neni 239) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur këto vepra kanë elemente të trafikimit.

Ky takim synon të forcojë koordinimin institucional, shkëmbimin e përvojave praktike si dhe identifikimin e sfidave dhe hapave të mëtejshëm për efikasitet më të lartë në trajtimin e këtyre rasteve të ndjeshme dhe komplekse. /Kosova.info/


Go to TOP