Projekte të reja zhvillimore për RTK-në, financuar nga Bashkimi Evropian
Është mbajtur takimi i parë gjashtëmujor i transmetuesve publik të Ballkanit Perëndimor në Shkup.
Gjatë këtij takimi, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, falënderoi Bashkimin Evropian, Institutin Goethe dhe Akademinë e Deutsche Welle për mbështetjen e tyre përmes një granti të ndarë për RTK-në.
Ai theksoi se ky kontribut ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në krijimin e hapësirave të reja për realizimin e emisioneve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe mjedisin.
“Sot nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e studiove të reja; bëhet fjalë për krijimin e një hapësire ku kreativiteti, edukimi dhe teknologjia bashkohen për të fuqizuar gjeneratat e ardhshme”, u shpreh Hundozi.
Ndërkaq, drejtori i RTK-TV, Rilind Gërvalla, përmes një videoje të transmetuar para drejtuesve të transmetuesve publik të Ballkanit Perëndimor, theksoi se projekti i financuar për RTK-në, në vlerë prej 60 mijë eurosh, përveç ndërtimit të dy studiove të reja, përfshin edhe krijimin e një dhome regjie, e cila do të lidhë të gjitha hapësirat e reja televizive, të cilat planifikohen të ndërtohen në të ardhmen e afërt.
Menaxhmenti i RTK-së me këtë rast, falënderuan Bashkimin Evropian, Institutin Goethe dhe Akademinë e Deutsche Welle jo vetëm për mbështetjen në krijimin e hapësirave të reja dhe ngritjen e kapaciteteve teknike të Transmetuesit Publik të Kosovës, por edhe për ndihmën e dhënë në rritjen e mëtejshme të profesionalizmit të stafit të RTK-së.
