Narendra Modi drejt Moskës për të balancuar afrimin Rusi-Kinë

Kryeministri indian Narendra Modi do të shkojë në Rusi të hënën për një vizitë dyditore gjatë së cilës do të përpiqet të forcojë marrëdhëniet në një periudhë kur Moska ka thelluar lidhjet me Kinën, rivalen kryesore të Indisë.

Analistët në Nju Delhi thonë se takimi i nivelit të lartë me presidentin rus Vladimir Putin është caktuar të mbahet të martën dhe synon t’i kundërvihet perceptimit për një ftohje të marrëdhënies mes dy aleatëve të hershëm, ndërsa India po ndërton një partneritet më të afërt me Shtetet e Bashkuara.

“Objektivi i Indisë është që të theksojë se marrëdhëniet Indi-Rusi janë të rëndësishme dhe për t’u siguruar se lidhjet në rritje të Putinit me Kinën nuk do të ndikojnë tek lidhjet me Nju Delhin”, i tha Zërit të Amerikës Chintamani Mahapatra, themelues i Institutit Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

“Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdojë dialogu me Rusinë në nivelin më të lartë”, tha ai.

Takimi i nivelit të lartë do të jetë i pari që kur Rusia sulmoi Ukrainën, një çështje për të cilën Nju Delhi ka mbajtur një qëndrim neutral – as nuk e ka dënuar luftën, por as nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës.

Megjithëse udhëheqësit indianë dhe rusë kanë mbajtur takime të nivelit të lartë që nga viti 2000, një takim i tillë nuk është mbajtur që kur zoti Putin vizitoi Nju Delhin në vitin 2021.

Duke folur për takimin që pritet, ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar theksoi se dy vendet ka një “historik të fortë bashkëpunimi”.

Analistët thonë se në vizitën e tij të parë në Rusi në pesë vite, zoti Modi do të përforcojë një marrëdhënie të testuar në kohë, thonë analistët.

“Nuk mendoj se kjo do të caktojë kursin për një partneritet të ri të ardhshëm plot me iniciativa të reja apo rezultate”, i tha Zërit të Amerikës Sreeram Chaulia, dekan në Shkollën “Jindal” për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Do të mbështesë në fakt marrëdhënien, do të ruajë lidhjet ekzistuese që kemi dhe do të sigurojë mënyrat për ta vazhduar bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe të energjisë”, tha ai.

Megjithëse ka diversifikuar blerjet e materialeve ushtarake gjatë viteve të fundit, India vazhdon të mbështetet tek armët ruse. Rreth një e treta e importeve të Indisë për mbrojtjen vijnë nga Moska, krahasuar me dy të tretat që ishin rreth pesë vite më parë. Janë shtuar megjithatë shqetësimet, që kur filloi sulmi në Ukrainë, për kapacitetet e Rusisë për të furnizuar me pjesë këmbimi dhe municione.

Ndërkohë, tregtia dypalëshe në fushën energjitike ka lulëzuar, ndërsa India shtoi blerjet e naftës së lirë ruse pasi kishte filluar sulmi në Ukrainë. Sidoqoftë, eksportet e përgjithshme ruse drejt Indisë janë në 65 miliardë dollarë dhe eksportet indiane drejt Rusisë janë vetëm rreth 4 miliardë. Kjo ka shkaktuar shqetësim në Nju Delhi.

“Tregtia vazhdon e pabalancuar, gjë që është çështje prioritare në diskutimet tona me palën ruse”, u tha gazetarëve sekretari i Jashtëm indian Vinay Kwatra, ndërsa njoftonte të premten vizitën e zotit Modi. Ai tha se India dëshiron të nxisë eksportet në sektorë të ndryshëm, përfshirë produktet e bujqësisë, teknologjinë, farmaceutikën dhe sektorin e shërbimeve, me qëllim uljen e defiçitit.

Një punonjës karburanti duke furnizuar një makinë në Mumbai
Një punonjës karburanti duke furnizuar një makinë në Mumbai

Për presidentin rus Putin, vizita do të jetë e rëndësishme për të theksuar se nuk është izoluar nga sanksionet perëndimore, thonë analistët. Disa prej tyre përmendin mesazhin që do të merret nga ky takim me zotin Modi, që do të bëhet ndërsa takimi i NATO-s fillon të martën në Uashington dhe do të përqëndrohet tek shqetësimet e sigurisë në Ukrainë dhe në rajonin Indo-Paqësor.

Analistët në Nju Delhi thanë se vizita e zotit Modi nuk ka gjasa të shkaktojë shqetësim në Uashington, me të cilin India ka thelluar partneritetin e saj të sigurisë mes shqetësimeve të ndërsjella në lidhje me veprimtarinë e shtuar të Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Deri më tani India ka arritur të ruajë një balancë të vështirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, thotë zoti Mahapatra.

Shtetet e Bashkuara kanë “disa shqetësime” në lidhje me angazhimin e Indisë me Rusinë në çështjet ushtarake dhe teknologjike, por Uashingtoni ka besim se Nju Delhi do të nxisë partneritetin SHBA-Indi në fusha kyçe, tha zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, në një konferencë virtuale në 26 qershor, përpara se të njoftohej takimi i nivelit të lartë Indi-Moskë.

Analistët në Nju Delhi thonë se ndërsa India ka forcuar ndjeshëm lidhjet e saj me SHBA-në, Rusia bëhet e rëndësishme në kalkulimet e saj gjeostrategjike për shkak të vendeve fqinje jomiqësore ndaj Indisë.

Tensionet ushtarake katërvjeçare mes Indisë dhe Kinës përgjatë kufijve të tyre të diskutueshëm, mbeten një shqetësim për Nju Delhin.

“Është e rëndësishme për Indinë që në rast të ndonjë konflikti Indi-Kinë, Rusia të mos mbajë anën e Kinës”, tha zoti Mahapatra. “Kjo do të ndodhë vetëm nëse Rusia mendon se India është një vend i rëndësishëm për përllogaritjet e tyre gjeopolitike”.

Megjithatë, do të jetë sfiduese për Indinë të balancojë rolin e Kinës për shkak të ndërvarësisë së madhe të Rusisë nga Pekini dhe izolimit nga vendet perëndimore. Gjatë një vizite të zotit Putin në Kinë në maj, dy vendet u zotuan të intensifikojnë partneritetin e tyre, i cili është rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Jemi të vetëdijshëm se për Rusinë, Kina do të mbetet aleati i saj dominues, por India dëshiron të sigurohet që ajo të mos bëhet plotësisht mbizotëruese”, thotë zoti Chaulia. “Nuk duam që Rusia të bëhet një partnere e Kinës, sepse atëherë do të rrethohemi nga kundërshtarë në të gjithë rajonin euroaziatik. Pra, është në interesin tonë ta bëjmë Rusinë të qëndrueshme në çfarëdo mënyre që mundemi”.

Pas Moskës, zoti Modi do të shkojë në Austri, vizita e parë e një kryeministri indian në këtë vend pas më shumë se katër dekadash.

Go to TOP