Prizreni cak për vizitorë nga vende të ndryshme të botës
Qytetarët e Prizrenit dhe jo vetëm, natën e parë të ndërrimit të moteve e presin në familje, ndërkaq ky qytet ngelet cak i rëndësishëm për vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Vizitorë nga vende të ndryshme të botës vizituan Prizrenin edhe në ditën e funditvitit 2025. Grupe turistësh dëshirojnë që ta kalojnë natën e ndërrimit të moteve në këtë qytet. Zehra me familjen e saj nga Palestina, ndodhet tashmë në Prizren.
“Jemi këtu nga Palestina, zgjodhëm Prizrenin për ta pritur vitin e ri. Na pëlqen Prizreni, por edhe Prishtina”, tha Zehra, turiste nga Palestina.
Turistët nga Turqia janë të shumtë këto ditë në Prizren. Ata thonë se u pëlqen ky qytet, andaj nuk e anashkalojnë as në festa të rëndësishme.
“Këtu është shumë bukur, dua të vij prapë, ushqimi është perfekt, sidomos qebapët. Ngjan me kuzhinën turke, sidomos qebapët”, tha një turist nga Turqia
“Shumë bukur, më pëlqen zbukurimi, të ishte natë, do të shihja më shumë gjallëri, por ne jemi këtu me tur turistik, s’po mund të rrimë. Do të vazhdojmë në qytete të tjera. Për vitin 2026 presim shëndet, dashuri, balancim të jetesës”, tha Turistja nga Turqia.
E vizitorët më të shpeshtë janë nga diaspora, të cilët duan ta kenë një kujtim nga Prizreni.
“Ne jemi mërgimtarë, sa herë që vijmë në pushim vijmë e vizitojmë Prizrenin, na pëlqejnë ushqimet tradicionale tonat”, tha Leon Zairi nGA Lugina e Preshevës.
Përndryshe, në përgjithësi kosovarët natën e ndërrimit të moteve e kalojnë në familje, ndërsa për 2026 kanë pritshmëri, sidomos në ekonomi dhe jetën sociale.
“Do ta kaloj me familje, presim që 2026 të jetë më e mirë, sukses, si në ekonomi, në punë dhe shëndet”, tha Afrim Leka nga Gjakova.
“Po presim që të shohim një vend tonin që po përparon, me rini, të vjetër e me fëmijë, këtë e kërkoj nga zoti, që të kthehemi në vend tonin të punojmë, të jetojmë në vendin tonë, kjo është kënaqësia jonë e mërgimtarëve”, tha Mejreme Lekaj nga Gjakova.
Përndryshe, pika kufitare e Vërmicës është e qetë, nuk ka pritje as në hyrje e as në dalje.
