Prishtina mbyll vitin me miliona euro suficit

Ndërtimi i tunelit 300 metra në rrugën “Agim Ramadani” dhe ndërtimi i “Tregut të Ri” nuk u realizuan as këtë vit, ndonëse ato për disa vite po barten në buxhetin e Komunës së Prishtinës.

E bashkë me to, në letër kanë mbetur edhe shumë projekte të tjerë të cilat nuk arritën të realizohen as në vitin e fundit të udhëheqjes së Shpend Ahmetit.

Për nëntë muaj, nga janari deri në shtator të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 54.6 milionë euro nga 121 milionë euro sa ishte buxheti i vitit 2021, së bashku me 34 milionë euro të bartura nga buxheti i vitit 2020.

Deri në shtator të vitit 2021, Prishtina ka shpenzuar pak nga buxheti i ndarë për investime kapitale. Mbi 20 milionë euro i kanë tepruar kësaj drejtorie nga projektet të cilat janë parashikuar të realizohen.

Si projekte më të paguara edhe për këtë vit, ishin kompensimi në kilometër të “Trafikut Urban” me afër 4 milionë euro, si dhe “Menaxhimi i mbeturinave” me mbi 2 milionë euro.

Mbi 200 mijë euro i kanë tepruar edhe drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe i Zhvillimit të Qëndrueshëm, pasi 100 mijë nga to ishin planifikuar për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal i cili nuk u miratua nga shumica e asamblistëve në Kuvendin Komunal.

5 milionë euro kanë mbetur edhe nga Drejtoria e Kulturës, ku as këtë vit nuk u realizua ndërtimi i Sallës Koncentrale.

Me mospërmbushjen e premtimit për ndërtimin e disa shkollave fillore dhe çerdheve publike, Drejtorisë për Arsim i kanë mbetur mbi 7 milionë gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.

Megjithëse nuk ka dalë ende raporti i tremujorit të fundit, asamblistja, Fiknete Bejta, e cila ishte këshilltare e Kuvendit Komunal edhe në legjislaturën që lamë pas, thotë se Komunës së Prishtinës parashihet t’i teprojë buxhet mbi 33 milionë euro për këtë vit.

“Edhe sivjet performanca financiare e Prishtinës është e dobët. Mund të themi në bazë të performancës që kanë treguar raportet financiare edhe këtë vit është shumë i lartë. Pa llogaritur tremujorin e fundit për të cilin nuk kemi një raport financiar, atëherë llogaritet që do të ketë një bartje buxhetore mbi 33 milionë euro. Mendoj se është shumë e madhe që ka mundur me qenë një investim të qytetarëve dhe një rritje ekonomike për qytetarët nëse do ishte realizua ashtu siç është planifikuar me buxhetin e vitit 2020”, ka thënë ajo.

Sipas asamblistit të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ky suficit i lartë vije nga mos planifikimi i qartë për shpenzimin e saj.

“Sa i përket buxhetit, ne e dimë në vazhdimësi një pikë e dobët sa i përket shpenzimit të parasë publike ka qenë suficiti i lartë dhe krejt kjo ka qenë në mungesë të planifikimit të qartë dhe realizimit të duhura dhe kapacitetit implementues për ta realizuar atë buxhet në investime kapitale sidomos, por edhe në të gjitha fushat tjera ku është kompetencë e buxhetit të Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Sipas Retkocerit, kjo duhet të jetë një mësim për qeverisjen e tanishme që buxheti të shqyrtohet mirë dhe të ndërtohet nga ekspertë.

Go to TOP