Presidentja Osmani nderon heroin Sali Çekaj në përvjetorin e rënies: Lavdi përjetë veprës së tij
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot me nderim dhe mirënjohje heroin e kombit, Sali Çekaj, në përvjetorin e rënies së tij heroike në betejën e lavdishme të Koshares.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin jetik të Çekajt në luftën për liri duke e cilësuar atë si një ndër figurat më të ndritura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sali Çekaj ishte shembull i trimërisë, besnikërisë dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Ai, së bashku me Agim Ramadanin dhe bashkëluftëtarët tjerë, udhëhoqi me guxim dhe mençuri njërën nga betejat më të lavdishme të historisë sonë – atë të Koshares”, theksoi Osmani.
Presidentja theksoi se sakrifica e tij dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit do të kujtohet gjithmonë me nderim të veçantë. “Me dëshmorët që ranë heroikisht dhe luftëtarët trima që shkruan historinë me gjak, do të jemi përjetësisht krenarë”, u shpreh ajo.
Sali Çekaj mbetet një ndër komandantët më të shquar të luftës çlirimtare, i njohur jo vetëm për veprat e tij në betejë, por edhe për bujarinë dhe përkushtimin ndaj bashkëluftëtarëve dhe vendit të tij.
Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të Heroit Sali Çekaj!. /Kosova.info/
