Presidenti kroat, Millanoviq: Në Srebrenicë ndodhi një krim i madh “me elemente të gjenocidit”

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, pasi bëri gjatë ditës së djeshme një deklaratë të diskutueshme për gjenocidin në Srebrenicë, duke u përpjekur ta relativizojë atë me Holokaustin dhe gjenocidin në Ruandë, vazhdoi sot me një ton edhe më skandaloz, raportojnë mediat boshnjake.

Në konferencën e sotme për shtyp, i pyetur për të sqaruar deklaratat e djeshme për gjenocidin në Srebrenicë, ku krahasoi numrin e të vrarëve dhe bëri klasifikimin ligjor, ai tha se ishte keqkuptuar.

“Unë thashë se Srebrenica nuk është njësoj si Holokausti. Është një krim i rëndë me elemente të gjenocidit, kështu e tha edhe gjykata. Por asnjë gjykatë nuk është e shenjtë”, tha Milanoviq.

“Pesëmijë, tetëmijë njerëz ose 80 mijë njerëz nuk është njësoj. Nuk është njësoj nëse ndodh në dhomat e gazit apo ndodh me hanxhar. Nuk e di se kë mund ta dëmtojë një deklaratë e tillë e imja. Nuk ka asgjë të keqe apo dashakeqe në atë që thashë, në fakt është në mirëbesim”, shtoi presidenti kroat.

Ndryshe, ish-ushtria jugosllave e udhëhequr nga serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë duke vrarë tetëmijë meshkuj myslimanë. 

Go to TOP