Presidenti hungarez e nënshkruan ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO

Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, e ka nënshkruar të martën projektligjin përmes të cilit vendi i tij e miratoi anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, NATO, njoftoi zyra e presidentit.

Kjo i hap rrugën Suedisë për t’u bërë anëtarja e 32-të e aleancës ushtarake në ditët në vijim.

Tani, formalitetet e mbetura si, dorëzimi i dokumenteve për anëtarësim në Uashington, pritet të përfundojnë shumë shpejt.

“Kjo është tejet e rëndësishme dhe shpresoj se ne do të bëhemi anëtarë brenda ditësh, jo brenda javësh. Do të jetë mirë për Suedinë dhe mirë për NATO-n. Do të jetë mirë për stabilitetin në tërë zonën euroatlantike që Suedia mund të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, në një konferencë në Stokholm.

Në fund të shkurtit, Parlamenti i Hungarisë e miratoi me 188 vota për dhe me gjashtë kundër projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

Hungaria ishte vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e kishte bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike.

Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake transatlantike gati dy vjet më parë, e nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Anëtarësimi i Finlandës vitin e kaluar dhe tani i Suedisë, e cila nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, përbën zgjerimin më të rëndësishëm të NATO-s prej se ajo pranoi anëtarë të rinj nga Evropa Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Anëtarësimi i tyre është edhe goditje për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili tani përballet me një zinxhir pothuajse të pathyeshëm të anëtarëve të NATO-s në perëndim të vendit të tij, nga Deti i Zi deri në Arktik.

Go to TOP