Presidenca reagon ndaj një fotografie të manipuluar (fake)

Një fotografi e manipuluar, e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale, ka filluar të qarkullojë në rrjete sociale me qëllim të denigrimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përhapjes së narrativave të fabrikuara që shërbejnë agjenda të huaja destabilizuese.

Në reagimin e Zyrës së Presidencës, thuhet se institucionet shtetërore theksojnë se pamja në fjalë është plotësisht e rreme, një montazh i dizajnuar për të krijuar konfuzion te publiku dhe për të cenuar figurën e Presidentes, e cila çdo ditë ushtron detyrën me integritet, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë institucionale.

Më tej thuhet se sipas vlerësimeve të ekspertëve të sigurisë, qarkullimi i materialeve të tilla të rreme përbën rrezik real për dezinformim dhe është pjesë e një fushate të qëllimshme për të minuar besimin në institucionet e vendit”, thuhet në reagim.

“Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Autoritetet u bëjnë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj përhapësve të këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por rrezikojnë drejtpërdrejt stabilitetin institucional. /Kosova.info/


Go to TOP