Erdogan viziton Ballkanin, por jo Kosovën e Shqipërinë

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan, ka filluar një turne nëpër disa vende të Ballkanit. Ai, është pritur me nderime shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë në fillim të këtij turneu gjatë të cilit, do të vizitojë edhe dy shtete të tjera, Kroacinë dhe Serbinë.
Erdogan nuk e ka në plan ndalesën në Shqipëri dhe Kosovë. Tre ditë, do të qëndrojë në rajon dhe fokusi i vizitës së tij, do të jetë forcimi i marrëdhënieve ekonomike. Në një njoftim të presidencës turke thuhet se këto vizita bëhen me ftesë të homologëve të tij. Në bisedimet që ai do të zhvillojë me drejtuesit e këtyre tre shteteve, do të shqyrtohen marrëdhëniet dypalëshe, hapat për bashkëpunim, projektet e përbashkëta dhe investimet.Temë diskutimi e presidentit turk në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci do të jenë edhe zhvillimet në Ballkan dhe çështjet ndërkombëtare. Para se të nisej për në Sarajevë, Erdogan e bëri të qartë se Turqia ndjek një politikë që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit dhe procesin e tij të integrimit në strukturat euroatlantike.

“Ballkani është prioritet për Turqinë jo vetëm për arsye politike, ekonomike dhe gjeografike, por edhe për shkak të lidhjeve historike, kulturore dhe njerëzore që ne kemi me rajonin. Gjatë vizitës në Bosnje Hercegovinë, do të përpiqemi të gjejmë edhe një zgjidhje për krizën politike që ka pllakosur këtë vend”, ka thënë Erdogan, raporton Top Channel.

Vitet e fundit, Ballkani është kthyer në një treg joshës për investitorët turq me fuqinë e tij punëtore të kualifikuar, mjedisin miqësor për investime dhe stimujt tatimorë e financiarë. Rajoni, që ka lidhje të thella historike dhe kulturore me Turqinë, shpesh përshkruhet si porta e saj drejt BE-së.

Go to TOP