PORTRET MËSUESI (me shkas)

Shkruan: Bardh GASHI

7 Marsi na sjell ndërmend figurën e devotshme të mësuesit shqiptar, i cili meriton mirënjohjen dhe respektin tonë të thellë. Pa ta, jeta jonë do ishte ndryshe..

Në këtë 7 mars po sjell figurën e një mësuesi të sotëm, si vazhdimësi e përkushtimit ndër breza përgjatë kohëve.

Siç dihet, çdo mësues, si çdo njeri tjetër, ka karakterin e tij, pak a shumë të hapur e të shoqërueshëm, të ngurtë apo fleksibël…

Mësuesi Xhelil është modeli i mësuesit, i cili di të flasë me zemër dhe tru me nxënësit e tij, di të zgjojë tek ata interesimin për mësimin, di të lidhë shkollën me jetën. Në fakt, puna e tij prej pedagogu, bëri që nxënësit  e tij ta kuptojnë se shkolla dhe jeta nuk janë dy realitete krejtësisht të ndara, por se mes tyre ekziston një osmozë e caktuar.  Që nga viti i largët 1978 kur kishte filluar punën e mësuesit në vendlindje, në Sefer, ai solli jetë në shkollë. Siç bën një mësues i mirë, ai iu kushtoi vëmendjen e përhershme nxënësve, i trajtoi me respekt, pa harruar asnjëherë dallimet e tyre të mundshme. I frymëzoi ata, i sfidoi dhe i mbështeti në kapërcimin e sfidave, duke ngjallë vetëbesim tek nxënësit se mund të kenë sukses si në shkollë ashtu edhe në jetë. Ai bëri çmos për të siguruar që të gjithë nxënësit të përfitojnë sa më shumë nga shkolla dhe të mos bëjnë kompromis për këtë; u bë pikë referimi i tyre.

Po kush është mësuesi Xhelil Rrahmani-Seferi?

Mësuesi Xhelil lindi më 18 nëntor 1956 nē fshatin heroik tê Idriz Seferit, në Sefer. Shkollimin fillor e bëri në shkollën “Migjeni” të vendlindjes. Jo vetëm shkolla kishte këtë emër, por edhe jeta e tij, si fëmija i tetë i familjes. Pavarësisht jetës së vështirë dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të pushtetit serb (fshati Sefer padrejtësisht mbahet brenda territorit të Serbisë), ai vazhdoi normalen në Gjilan. Po aty përfundoi dhe  Akademinë Pedagogjike dhe Edukimin. 

E si të ishte ndryshe për një pinjoll të familjes fisnike e patriotike të tribunit Idriz Seferi.

Në periudhën 07.02.2978 – 24.02.1999 ishte mësues në Sefer. Pasi u dëbua nga puna atje, mësimdhënien e vazhdoi në SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër deri në vitin 2014, kur u zgjodh zëvendësdrejtor, detyrë kjo që e kreu me shumë përgjegjësi dhe përkushtim deri sa u pensionua pak kohë më parë.

Por, pas 43 viteve në arsim, si të jetojë mësuesi Xhelil? I mjafton dot dashuria që ia falin mbesat Nina e Helena, nipi Flladi, pasioni për artin e çmimet e fituara për fjalëkryqin ? Dashuria e tyre është e pafund, por mësuesi ka nevojë për një trajtim të dinjitetshëm nga shteti. Përvoja e punës në Sefer nuk i njihet e kjo në Kosovë – mbi dy dekada – nuk i mjafton për pension. Ç’ironi!!! 

Rasti si ky, duhet ta ndërgjegjësojë shtetin.

Poezi nga Xh. Rrahmani

SISTINË

Mbyllur në të katër anët, mur getoje

Ngritën si gur varri, dishepujt e gënjeshtrës…

T’i djegim të gjithë librat e shenjtë

E të presim tym të zi?

Blasfemi!

T’i fishkëllejmë mendjehollët sikur në mesjetë?

Idiot!

Urdhëro, merre zemrën time të gjakosur e të rrahur jete

Të duhet të rinohesh nga plakja ime 

Kryqëzuar me gozhda ari.

Vdis ti për mëkatet e mia, unë do të rri këtu,

Vazhdoj të ha mollën e mbetur,

Parajsë…

Jeto ti për mua, unë do të bërtas

“O, Zoti im, a më harrove?”

T’i mbushim mendjen vetes

Se jemi të falur, e nga zemra

Të dalë tym i bardhë pendimi

Urra!

Habemus Papam?

MUZEU I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË KOSOVË, STUBËLL, 1584.

Go to TOP