Policia sekuestron armë dhe municion në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë të gjatë gjysmëautomatike, sasi të konsiderueshme municioni dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë një operacioni të realizuar sot në fshatin Lucka Reka, në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni u zhvillua pas informacioneve të marra nga qytetarët, të cilët njoftuan se në një shtëpi të pabanuar mund të kishte armë dhe mjete ilegale. Gjatë kontrollit, policia gjeti një armë të gjatë gjysmëautomatike, mbi 500 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një bajonetë dhe gëzhoja.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia bëri të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. Ajo gjithashtu falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajoi të vazhdojnë të raportojnë çdo informacion që lidhet me veprimtari të kundërligjshme. /Kosova.info/


Go to TOP