Tre serbët e akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit thonë se janë të pafajshëm
Tre personat që janë arrestuar në lidhje me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024, thanë se janë të pafajshëm për veprat me të cilat ata ngarkohen në lidhje më këtë rast.
Dy vëllezërit që akuzohen për sulmin, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, bashkë me Igor Dimoviqin, mohuan, në seancën që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të jenë përgjegjës për aktin e dëmtimit të këtij kanali, që kishte për qëllim rrezikimin serioz të furnizimit me ujë dhe energji elektrike për një pjesë të Kosovës, sipas planeve, për të cilat aktakuza thotë se janë bërë në Serbi.
Në prani të gjykatësit Vesel Ismajli ata thanë se e kanë kuptuar çka thuhet në aktakuzat për ta, por deklaruan se nuk ndihen fajtorë.
Titull: Tre të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit thonë se janë të pafajshëm
Pas këtyre deklarimeve, prokurori i rastit, Bekim Kodraliu tha se ai ka mjaft dëshmi për të treguar të kundërtën e asaj që thanë vëllezërit Vicentijeviq dhe Dimoviq.
Në fjalën e tij hyrëse ai paraqiti prova materiale, përfshirë edhe pamje, për të cilat tha se e mbështesin aktakuzën dhe të cilat, sipas tij, dëshmojnë pakontestueshëm fajësinë e tre të akuzuarve.
Prokurori Kodraliu: Ibër-Lepenci u sulmua me 20 kilogramë TNT, sulmi ishte i organizuar
“Kjo aktakuzë nuk ka të bëjë vetëm me një vepër të zakonshme penale. Ajo ka të bëjë me një sulm të organizuar dhe të planifikuar mirë kundër infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës, një infrastrukturë jetike për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm dhe për funksionimin e sistemit energjetik të vendit. Në bazë të provave që do të administrohen para jush, do të vërtetohet se më datë 29 nëntor 2024, të pandehurit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar ende, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ushtarak, rreth 20 kilogramë TNT, në kanalin e Ibër-Lepencit, duke shkaktuar dëmtime të rënda materiale, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe duke rrezikuar seriozisht furnizimin me energji elektrike në një pjesë të vendit. Andaj, edhe për këto veprime, prokuroria i ngarkon të pandehurit për veprën penale: rrezikim i rendit kushtetues, shkatërrimi apo dëmtimi i instalimeve dhe pajisjeve publike, lidhur me veprën penale: kryerja e veprës terroriste, në bashkëkryerje. Po ashtu, gjatë kontrolleve të realizuara në pronat e të pandehurve, janë gjetur dhe sekuestruar sasi e madhe e armëve, municione, granata, mjete ushtarake të komunikimit, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera, posedimi i të cilave pra ka qenë në kundërshtim me ligjin në fuqi. E që si pasojë edhe akuzohen për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, tha Kodraliu, raporton KosovaPress.
Kodraliu më tej u shpreh se Prokuroria do të paraqesë edhe dëshmitë e hetimeve që janë bërë në bashkëpunim me FBI të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe prova shkencore nga policia italiane.
Kodraliu thotë se fajësinë e të akuzuarve e dëshmojnë edhe provat FBI-së dhe Italisë
“I nderuar trup gjykues, provat që do të paraqiten gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor përbëhen nga: raportet e Policisë së Kosovës, raportet e teknikës kriminalistike, ekspertizat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, analizat e ADN-së, ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – FBI, ekspertizat e Policisë Shkencore të Republikës së Italisë, me zyrën në Romë, raportet e organeve kompetente, analizat e eksplozivëve duke përfshirë edhe atë të KFOR-it amerikan, analizat e pajisjeve elektronike, dëshmitë materiale, dokumentacioni i siguruar gjatë kontrolleve, si dhe prova të tjera që në tërësinë e tyre krijojnë një zinxhir logjik të pandërprerë dhe të ndërlidhur me faktet e paraqitura në aktakuzë”, tha Kodraliu, raporton KosovaPress.
Kodraliu u shpreh se prokuroria do të dëshmojë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, nuk ishte veprim spontan apo i izoluar, por pjesë e një veprimtarie të organizuar, e planifikuar dhe e koordinuar mirë, me të vetmin qëllim që të cenojë infrastrukturën kritike dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, teksa shtoi se trajnimet për këtë sulm janë zhvilluar në Serbi, konkretisht në vendin e quajtur “Livadhet e Fasuleve”.
Kodraliu: Do paraqesim prova që përgatitjet për sulmin në “Ibër-Lepenc” u bënë te “Livadhet e Fasuleve” në Serbi
“Prokuroria para jush do të paraqesë prova që sipas vlerësimit tonë, tregojnë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit përbën vazhdimësi të një serie sulmesh të rënda që në tre vitet e fundit kanë pasur për objektiv cenimin e rendit juridik dhe sigurinë kombëtare. Sipas provave që kemi siguruar dhe që do të paraqiten para jush, ky sulm paraqet sulmin e katërt të natyrës së tillë. Pas ngjarjeve të mëhershme që kanë cenuar drejtpërsëdrejti institucionet dhe sigurinë e vendit. Gjithashtu, prokuroria para jush do të paraqesë prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave janë zhvilluar në poligonin ushtarak serb të quajtur ‘Pasuljanske Livade’ në Republikën e Serbisë, ku tashmë po dyshohet se aty ka pasur një varrezë masive. E krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës. E që nga provat që kemi siguruar që do të prezantohen para jush dhe nga provat e rasteve të mëhershme vërtetohet se qeveria serbe ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, tha ai.
Kanali i Ibër-Lepencit ishte dëmtuar me eksplozivë më 29 nëntor 2024, në afëri të fshatit Varagë të Zubin Potokut. Shpërthimi pati shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e kanalit, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe funksionimin e sektorit energjetik.
Pas sulmit, institucionet e Kosovës ndërmorën masa emergjente për sanimin e dëmeve dhe arritën ta stabilizonin rrjedhën e ujit brenda një kohe të shkurtër, duke shmangur ndërprerje të gjata në furnizim.
Autoritetet e Kosovës e cilësuan ngjarjen si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike, teksa menjëherë Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe partnerët ndërkombëtarë, patën nisur hetime për identifikimin e autorëve dhe motivet e sulmit. Ngjarja u dënua edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët kërkuan zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Ndërsa, vetëm një ditë pas sulmit, Policia e Kosovës pati arrestuar tetë persona gjatë bastisjeve në 10 lokacione në veri të vendit, ku u patën sekuestruar armë, municione, eksplozivë, uniforma ushtarake e pajisje të tjera, kurse më 1 dhjetor 2024, u pat arrestuar tash i akuzuar Jovan Viçentijeviq.
