Policia ndëshkon parkimin e paligjshëm në hapësirat e gjelbra në Prizren: 19 gjoba dhe 3 automjete të konfiskuara

Policia e Kosovës, përkatësisht patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren (NJRTRR), ka ndërmarrë sot, më 21 maj 2025, një aksion kontrolli në lagjen Dardania, përgjatë rrugës “Rrustë Kabashi” në drejtim të Prizren–Suharekës, me qëllim adresimin e shkeljeve të rregullave të trafikut dhe mbrojtjes së hapësirave të gjelbra.

Gjatë këtij kontrolli janë identifikuar automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme mbi hapësirat e gjelbëruara, çka përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat në Trafikun Rrugor. Sipas Nenit 20, paragrafi 9 të këtij ligji, ndalohet dëmtimi apo ndotja e ambientit përmes parkimit në zona të ndaluara.

Si rezultat i aksionit:

Janë shqiptuar gjithsej 19 gjoba për kundërvajtje.

Janë konfiskuar 3 automjete që ishin të parkuara në mënyrë flagrante në zonat e ndaluara.

Policia e Kosovës thekson se aksione të tilla do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt, me qëllim garantimin e respektimit të ligjit dhe ruajtjen e ambientit të pastër dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Njëkohësisht, qytetarët ftohen që të respektojnë rregullat në trafikun rrugor dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe mjedisit. /Kosova.info/


Go to TOP