Policia mbyll gjashtë objekte të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të Kosovës

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë mbyllur kasafortën e Bankës Kursimore të Postës së Serbisë dhe pesë objekte të tjera të saj në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.

Pjesëtarë të EULEX-it gjatë aksionit në Zveçan.
Pjesëtarë të EULEX-it gjatë aksionit në Zveçan.

Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni ka kaluar pa ndonjë problem dhe incident.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri më 20 maj 2024.
Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri më 20 maj 2024.

Pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe ata të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë parë duke marrë pjesë në aksionin në veri.

Një makinë e KFOR-it shihet gjatë aksionit në veri të Kosovës.
Një makinë e KFOR-it shihet gjatë aksionit në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përgëzojë institucionet për “suksesin e treguar” gjatë aksionit në veri.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”, shkroi ai në Facebook.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës, vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

Serbia ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja ka thënë më 13 maj se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u thirrur në ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë, që pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Go to TOP