Policia e Kosovës publikon urdhrin operativ për sigurinë e balotazhit të 9 nëntorit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar urdhrin operativ policor me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për balotazhin e 9 nëntorit 2025 në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, plani operativ përfshin të gjitha fazat e procesit zgjedhor nga përgatitjet para ditës së zgjedhjeve e deri në përfundimin e numërimit duke garantuar sigurinë e qytetarëve, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e materialit sensitiv zgjedhor gjatë transportit dhe dorëzimit nën përcjelljen e Policisë.

Policia ka caktuar edhe koordinatorë të veçantë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera përkatëse, si dhe ka përgatitur një udhëzues për zyrtarët policorë mbi detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit të balotazhit.

Në kuadër të këtij urdhri operativ, qëllimet kryesore janë:

krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët;

sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve;

përcjellja dhe sigurimi i materialit zgjedhor;

inicimi dhe procedimi ligjor i çdo vepre penale që cenon të drejtën e votimit.

Në zbatim të këtij urdhri, sot më 7 nëntor, u mbajt një takim koordinues mes menaxhmentit të lartë të Policisë dhe drejtorëve rajonalë policorë, ku u shqyrtuan detajet e planit dhe u harmonizuan veprimet për ditën e zgjedhjeve.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike që për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë të kontaktojnë përmes linjës emergjente 192, adresës elektronike [email protected], apo stacioneve më të afërta policore.

Institucioni theksoi se mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP