Policia e Kosovës me plan të detajuar për zgjedhjet e 7 qershorit: Siguri në katër faza
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe planifikimet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të parakohshëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahet më 7 qershor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, përmes një urdhri operativ është paraparë angazhimi i një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga rendi publik, por edhe nga njësite të tjera të specializuara, varësisht nga nevojat në terren. Po ashtu, janë siguruar edhe mjetet e nevojshme logjistike për garantimin e sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Plani operativ i Policisë së Kosovës përfshin katër faza kryesore: periudhën përgatitore, angazhimin gjatë fushatës zgjedhore, garantimin e sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe periudhën paszgjedhore, e cila përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit sensitiv deri në përfundim të plotë të procesit.
Aktualisht, sipas Policisë, faza e parë tashmë është realizuar, ndërsa institucionet janë në zbatim të fazës së dytë, që lidhet me ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore.
Qëllimi kryesor i këtij operacioni është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimi i sigurisë në qendrat e votimit, depot komunale dhe qendrat e numërimit të rezultateve. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe përcjelljes dhe sigurimit të materialit zgjedhor në të gjitha fazat.
Policia ka theksuar se do të veprojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje ligjore që cenon të drejtën e votimit duke iniciuar dhe proceduar rastet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional, në bazë të memorandumit ndërmjet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policisë, Prokurorisë dhe Këshillit Gjyqësor, janë caktuar hetues dhe koordinatorë të posaçëm për trajtimin e rasteve që mund të lidhen me procesin zgjedhor.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të kryer detyrat e saj në mënyrë profesionale dhe transparente duke ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm përmes numrave emergjentë 192 dhe 038 550 999, përmes emailit apo në stacionet më të afërta policore. /Kosova.info/
