Policia e Kosovës me angazhime konkrete në luftimin e krimit të organizuar

Në kuadër të fushatës së vazhdueshme kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe korrupsionit, Policia e Kosovës ka kryer dy operacione të suksesshme gjatë ditës së sotme në dy rajone të vendit.

Në operacionin e parë në Pejë, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka arrestuar një person të dyshuar për detyrim dhe fajde, të dyshuar për vepra penale të rënda sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

Në operacionin tjetër në Ferizaj, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbërthyer një rast të shqetësueshëm të keqpërdorimit të tenderëve publikë. Mjeku veterinar me inicialet A.P., pronar i një ambulance private për trajtimin e qenve endacak është arrestuar për veprën “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari, fitues i pesë tenderëve, në pesë komuna të ndryshme, për trajtimin e qenve endacak, gjatë trajtimit të tyre, për periudhën kohore gusht-tetor 2023, në cilësinë e mjekut veterinarë, si person përgjegjës, qëllimisht ka shkelur detyrimet qe kanë dal nga kontrata-konkretisht në hospitalizimin pas intervenimit, duke paraqitur të dhëna të rreme; duke shtuar numrin e qenve të trajtuar në regjistrat e dorëzuar tek Autoriteti Kontraktues, duke mos paraqitur rastet e ngordhjes se kafshëve, duke mbajtur të fshehur për autoritetet kontraktuese, me qëllim të përfitimit për vete apo personave tjerë; gjithashtu, nuk ka përfillur procedurat ligjore, ku paraprakisht është dashur të marrë aprovimin nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, për plotësimin e kushteve për të operuar si ambulancë dhe strehimore për qenët endacak, ku sipas raportit të inspektoreve të AUV-it, nuk ka plotësuar kushtet për të operuar, ku rrjedhimisht edhe iu kishte ndaluar operimi, deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit tjerë me iniciale (A.P. ; I.H. dhe SH.M.) në cilësinë e punëtorëve të dyshuarit të parë, gjatë periudhës kohore gusht-tetor të vitit 2023, duke operuar në bashkëkryerje, gjatë kryerjes së procedurave të trajtimit të kafshëve: kapjes, sjelljes, akomodimit në strehimore dhe dërgimit në destinacionin e kapjes, me veprim kanë keqtrajtuar kafshët duke ’u shkaktuar vuajtje dhe dhembje apo shqetësime të rënda në atë shkallë apo rrethanë të cilat janë të tepruara dhe të pa nevojshme. Me këtë rast i dyshuari i lartcekur me iniciale(A.P.) dyshohet të ketë kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 i KPRK-së, ndërsa të dyshuarit me iniciale (I.H. ; A.P. dhe Sh.M.) kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. /Kosova.info/

Go to TOP