Plani zhvillimor i Prishtinës në ngërç

Plani zhvillimor komunal i Prishtinës, një nga dokumentet më të rëndësishme për orientimin urban të qytetit, nuk ka arritur ende të dalë në diskutim publik.

Opozita në kryeqytet thotë se drafti aktual ka mangësi serioze. 

“E kemi bërë të qartë shumë herë edhe në seanca edhe në media. PZHK ka të meta jashtëzakonisht të mëdha. Ka 18 vërejtje nga ministritë përkatëse, të cilat është dashur të përmirësohen para se të silleshin për miratim”, tha Feim Osmani, asamblist i VV-së.

Për njohësit e qeverisjes lokale, shtyrja e këtij plani sjell pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin e qytetit. 

“Kuvendi ndalet gjatë korrikut e gushtit për shkak të pushimeve. Kjo mungesë efikasiteti ndikon negativisht te transparenca, ritmi i punës dhe projektet zhvillimore”, deklaroi Valmir Ilazi, njohës i qeverisjes lokale.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se janë bërë përpjekje për ta çuar PZHK-në në diskutim publik, por mungesa e shumicës në kuvend e ka pamundësuar këtë. 

Me gushtin si muaj pushimi për Kuvendin Komunal, gjasat janë që dokumenti të mos trajtohet as gjatë verës, dhe kësisoj të shtyhet pas zgjedhjeve, kur fillon mandati i ri qeverisës. 

Kryeqyteti është duke funksionuar aktualisht me planin zhvillimor komunal. 


Go to TOP