Pianistja Lule Elezi me tri koncerte recitale në Poloni
Pianistja e njohur kosovare, Lule Elezi, këtë fundjavë do të mbajë tri koncerte recitale në Poloni, me ftesë të Shoqatës Ndërkombëtare Fryderyk Chopin në Varshavë. Dy nga koncertet do të zhvillohen në Varshavë, ndërsa i treti në qytetin kulturor-historik Kutno.
Elezi ka bërë të ditur se do të jetë pianistja e parë shqiptare që performon në Festivalin ndërkombëtar pianistiko-artistik “Floralia Muzyczne – Muzyka w Kwiatach” (Muzika mes Luleve). Ajo do të jetë pjesë e edicionit të 29-të të këtij festivali, që përfshin gjithsej shtatë mbrëmje muzikore, dhe njëra prej tyre i është dedikuar asaj.
“Ndjehem e privilegjuar që si pianistja e parë shqiptare të mbaj koncert recital në këtë festival ku performojnë pianistë të njohur ndërkombëtar,” ka shkruar ajo në Facebook.
Koncertet e Elezit në Poloni do të jenë:
Në Festivalin “Floralia Muzyczne” në bashkëpunim me Bashkinë e Varshavës, Akademinë e Shkencave Polake (PAN) dhe Radio RDC;
Në Chopin Salon në Varshavë, vendi ku dikur vetë Fryderyk Chopin performonte kompozimet e tij;
Në Pallatin Mbretëror Sakson në Kutno, organizuar nga Muzeu vendor në bashkëpunim me degën Sanniki të Shoqatës F. Chopin dhe Shoqatën Poloni-Kosovë (KosPol).
“Faleminderit Poloni, le të presim çfarë na sjell e ardhmja!”, ka shkruar Elezi. /Kosova.info/
