Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, Trafiku Urban paralajmëron vazhdimin e protestës
N.P.K. “Trafiku Urban” SHA ka njoftuar qytetarët për pezullimin e transportit publik për shkak të mungesës së mjeteve financiare duke theksuar se kjo gjendje është pasojë e vonesës në transferimin e mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore.
Në një komunikatë për qytetarët, ndërmarrja shprehet: “Megjithëse Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore për vitin 2024, ato mund të përdoren vetëm pas transferimit nga institucionet qendrore. Deri atëherë, Trafiku Urban mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve dhe për të rifilluar operimin normal.”
Për këtë arsye, ndërmarrja ka paralajmëruar vazhdimin e protestës së punëtorëve deri në përmbushjen e këtyre obligimeve. Sipas komunikatës, të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të përshpejtojnë procedurat e transferimit, në mënyrë që shërbimi të rikthehet sa më parë.
Trafiku Urban gjithashtu njofton qytetarët se ditët e shërbimit të humbura do të kompensohen përmes biletave mujore të paguara.
Ndërmarrja falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe shpreson që shërbimi i transportit publik të rifillojë pa vonesa sapo mjetet financiare të bëhen të qasshme. /Kosova.info/
