Petkoviq: Serbia po punon për të gjetur një zgjidhje kompromisi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i drejtohet publikut të premten, siç u njoftua një ditë më herët nga Brukseli. Por, adresimin do ta bëjë të dielën, tha drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Sipas tij, Serbia është duke e bërë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

“Presidenti e shtyu fjalimin e tij sepse nuk mund të pajtohet me faktin se nuk kemi zgjidhje… Sepse nuk mund të pajtohet me faktin se ne kemi konflikte në Kosovë dhe Metohi dhe prandaj, gjithë ditës së djeshme, por edhe mëngjesin e sotëm, ai po punon për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti Vuçiq të dielën do të flasë për gjithçka, për dialogun, për detajet, për propozimet, se si është sjellë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, si dhe çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të ruajtur jetën e popullit tonë në Kosovë”, tha Petkoviq.

Të dielën pritet edhe takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë nga Kosova.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Go to TOP