Përurohet Qendra e Re e Mjekësisë Familjare në Mamushë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Kryetarin e Komunës, Abdülhadi Krasniç, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, përuruan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mamushë. Të pranishëm në këtë rast ishin edhe deputetët, Fidan Jilta, Enis Kervan dhe Haxhi Avdyli.
Ky projekt është një investim i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në zonën përreth. QKMF-ja e re në Mamushë është investim në vlerë prej 757,608.37 euro, prej të cilave 90% financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesa tjetër nga Komuna e Mamushës, dhe ka një infrastrukturë moderne për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
QKMF-ja e përuruar do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikes, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada Japoneze. Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor. Krahas shërbimeve tjera ofron edhe shërbimin stomatologjik.
Kryeministri Kurti i uroi banorët për QKMF-në e re dhe falënderoi komunën për bashkëpunimin dhe ambasadën japoneze për donacionin.
“Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur që gjendet në Mamushë. Ai theksoi se hapja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët e të përditshëm për ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë, më cilësore, më të përballueshme, më të shpejtë për të gjithë dhe pa dallim.
“Kujdesi parësor shëndetësor është pjesa më e rëndësishme e sistemit tonë shëndetësor dhe investimet në këtë pjesë janë shumë- shumë të rëndësishme. Sot po e hapim QKMF në Mamushë dhe siç e përmendi edhe kryeministri, janë edhe katër qendra të tjera që po punohet nëpër komunat e Republikës, me investim shumicën nga Ministria e Shëndetësisë”, tha ministri Vitia, duke shtuar se përveç investimeve në infrastrukturë, po vazhdojmë edhe me investime në pajisje, automjete dhe autoambulanca, për t’iu bërë më të lehtë qytetarëve qasje në shërbimet shëndetësore.
Ministri Fikrim Damka, pasi falënderoi kryeministrin për vizitën tha se asnjëherë që prej pavarësisë së Kosovës një kryeministër nuk ka qenë katër herë në Mamushë dhe shtoi se nuk keni qenë vetëm për vizitë, por premtimet që i keni dhënë një nga një po realizohen.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, falënderoi Kryeministrin Kurti për mbështetjen jo vetëm për objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, por, siç tha ai, mbështetjen e madhe në sigurimin e ujit të pijshëm. /Kosova.info/
