Përshtypjet preliminare të listave ‘Fitimtare’ të 9 shkurtit
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Si ju duken listat “FITUESE” të zgjedhjeve të 9 shkurtit? Më në fund u publikuan. A e keni parë? Të gjitha janë lista fituese:) Më kujtua një intelektual kosovar në vitet e ‘90-ta që thoshte: “Për ne shqiptarët duhet një autobus inovativ i cili i ka 50 ulëse përpara, në rreshtin e parë, se askush nuk dëshiron të ulet në rreshtin e dytë apo mbrapa.”
Po supozoj që ka qenë e vështirë për partitë të krijojnë listat, sepse nuk ka një sistem të renditjes apo vlerave brenda partive që bazohet në shkencë apo në numra. Gjithashtu këtu është një proces ‘hatërmbetës’ së të gjithë mendojnë se meritojnë më shumë. Nuk kemi një model më shkencor dhe profesional që kishte mundur të bëjë rankimin psh në bazë të nevojave, demokrafisë, kauzave dhe prioriteteve të partisë dhe faktorë dhe indikatorë të ngjashëm.
Për shembull, kemi rastin ku një deputete jashtëzakonisht e zëshme e opozitës nuk e ka numrin as 2, as 3, por 6. Në anën tjetër, disa deputetë super aktivë janë përtej numrit 30 në renditje. Pra, nuk kemi një sistem të besueshëm që përcakton renditjen. Më së miri ka qenë metoda e LDK-së me renditje alfabetike, por ajo është ndryshuar. Tash, po i shikoj listat për të kuptuar më shumë diçka. Duhet t’i analizoj dhe t’i shoh nëse po tregojnë ndonjë gjë.
Përshtypja e parë është që:
(a) Nuk ka ndryshime të mëdha; ka një përshtypje të mirëmbajtjes së status quos. Kjo nënkupton që listat nuk do kenë një rol me shumë ndikim dhe qeverisja dhe ofertat programore dhe zgjidhjet e sfidave dhe planet për zhbllokimin e potencialit mund të kenë një rol më të theksuar.
(b) Numri i grave është minimal; partitë nuk e kanë respektuar jo vetëm strukturën demografike, por as politikat e tyre për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje.
(c) Nuk ka një strukturim të përfshirjes së profileve në bazë të nevojave të Kosovës (ndoshta 10 ekonomistë janë aty, por thuajse asnjë teknolog).
(d) Nuk duket të ketë pasur një vlerësim të mirëfilltë të demografisë, strukturave rajonale dhe lokale, dhe përshtatjes me numrin e votuesve potencialë. Partitë janë fokusuar jo aty ku janë dobët, por aty ku janë të sigurta dhe të forta.
Kjo është një përshtypje fillestare, pa analizuar dhe procesuar të dhënat dhe emrat për të kuptuar më detajisht. Gjithashtu, duke qenë se e kam shikuar thellësisht listën e LDK-së (sepse u publikua e para) dhe kam shkruar për përfaqësimin e grave aty, ndihem i obliguar t’i analizoj së paku edhe dy partitë e tjera të mëdha dhe të paraqes përqindjet, në mënyrë që të shohim ‘fotografinë e madhe.’
