Përplasja për votën e diasporës: Murati akuzon LDK-në për pengim, Sibel Halimi kthen përgjigje të ashpër

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se po vepron kundër interesave të diasporës, pas vendimit të PZAP-së që miratoi ankesën e LDK-së kundër hapjes së hapësirave shtesë për votim jashtë vendit.

Murati në reagimin e tij tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar lokacione shtesë për votim, përveç ambasadave dhe konsullatave, me qëllim që t’u lehtësohej procesi i votimit qytetarëve kosovarë jashtë vendit. Sipas tij, LDK-ja me ankesën e saj ka synuar ta pamundësojë këtë lehtësim.

“LDK paraqet ankesë për ta penguar votimin e diasporës. Me deklarata e kërkojnë votën e tyre, por me vepra po bëjnë të kundërtën,” u shpreh Murati duke e cilësuar veprimin si tendencë për t’i vështirësuar procesin qytetarëve që jetojnë jashtë.

Por ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar menjëherë deputetja e LDK-së, Sibel Halimi, e cila i quajti akuzat “kauzë të radhës së rreme” duke thënë se Vetëvendosje po mundohet t’i atribuohet LDK-së një narrativë të pavërtetë nga frika elektorale.

“Të deklarosh se LDK është kundër diasporës është vetëm kauza e radhës për të mbuluar panikun para zgjedhjeve dhe hipokrizinë permanente të partisë në pushtet. Maskat kanë rënë. Qytetarët po rikthehen në mbrojtje të shtetit,” u shpreh Halimi duke akuzuar qeverinë për manipulim politik. /Kosova.info/


Go to TOP