Përparim Rama ngushëllon Hashim Thaçin për humbjen e babait

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllimet e tij për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe familjen e tij pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të babait të Hashim Thaçit, ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ky është një moment dhimbjeje jo vetëm për familjen Thaçi, por edhe për gjithë popullin e Kosovës, i cili ka ndjerë dhe vazhdon të ndiejë pasojat e sakrificave për lirinë dhe pavarësinë e vendit,” tha Rama.

Ai vlerësoi rolin e Haxhi Thaçit në formimin e vlerave dhe karakterit të Hashim Thaçit, duke theksuar se humbja bëhet edhe më e rëndë pasi ai u nda nga jeta në një kohë kur djali i tij nuk ndodhej pranë.

“Në këto momente të dhimbshme, ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për Hashim Thaçin dhe gjithë familjen e tij. Ky është një moment reflektimi për të vlerësuar trashëgiminë e një jete të dedikuar për një kauzë të madhe, përpjekjet për liri dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës,” theksoi ai.

Në fund, Rama shprehu solidaritetin dhe mbështetjen për familjen Thaçi, duke uruar që ata të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje.

“Pusho në paqe!” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP