Përkujtohet trashëgimia e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit
Në Katedralen e Prishtinës është mbajtur një akademi solemne përkujtimore kushtuar dy figurave të shquara të Kishës Katolike dhe historisë kombëtare shqiptare, Imzot Nikë Prelës, në 30-vjetorin e kalimit të tij në amshim, dhe Imzot Mark Sopit, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë krerët më të lartë shtetërorë dhe fetarë, përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, Ipeshkvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe jetës publike. Gjatë fjalimeve u theksua roli i Imzot Prelës dhe Imzot Sopit jo vetëm si udhëheqës shpirtërorë, por edhe si zëra të fuqishëm të arsyes, guximit qytetar dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor në periudhat më të vështira për Kosovën.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cilësoi dy prelatët si personalitete historike që i përkasin historisë shpirtërore, qytetare dhe politike të vendit. Ai theksoi se ata ishin “bartës të një etike të lartë publike” dhe “përfaqësues të një morali të rrallë qytetar” duke nënvizuar se në vitet e shtypjes dhe diskriminimit nga sistemi serb, misioni i tyre shkoi përtej shërbesës fetare.
“Këta dy burra nuk ishin thjesht udhëheqës fetarë. Ata ishin dëshmitarë të një kohe kur e drejta, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk ishin të garantuara dhe duhej të mbroheshin çdo ditë, shpesh në rrethana të jashtëzakonshme rreziku,” deklaroi Kurti.
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren–Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, foli për përgjegjësitë e mëdha që Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi bartën si barinj të Kishës Katolike në Kosovë. Ai i cilësoi ata si bashkëvuajtës të popullit të vet dhe dëshmitarë të besueshëm të së vërtetës historike duke theksuar se përmes lutjes, besimit dhe shërbimit apostolik ata ruajtën zemrat e besimtarëve dhe qëndrueshmërinë e besëlidhjes së besimit në kohë të vështira.
Ndërkaq, Imzot Rrok Gjonlleshaj vuri në pah guximin dhe rolin e ipeshkvijve shqiptarë në periudha të rënda historike duke theksuar se Kisha Katolike nuk ishte vetëm një institucion fetar, por edhe një zë i fuqishëm i së vërtetës dhe i mbrojtjes së popullit shqiptar. Ai kujtoi edhe deklarimin publik të Imzot Nikë Prelës ndaj pushtetit serb, me të cilin ai afirmoi hapur identitetin dhe përkatësinë kombëtare të Kishës dhe të popullit që shërbente.
Folësit u pajtuan se trashëgimia e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për shoqërinë kosovare duke dëshmuar se liria duhet të shoqërohet me përgjegjësi, ndërsa e vërteta dhe dinjiteti njerëzor duhet të jenë busull orientuese për shtetin dhe qytetarët. /Kosova.info/
