Për herë të parë pas 40 vjet, gazetarët e New York Times në grevë masive

Qindra gazetarë dhe punonjës të tjerë në New York Times filluan një grevë 24-orëshe të enjten, greva e parë e këtij lloji në gazetë në më shumë se 40 vjet.

Punonjësit e redaksisë dhe anëtarët e tjerë të “NewsGuild of New York” thonë se janë të ngopur me zvarritjet që nga skadimi i kontratës së tyre të fundit në mars 2021.

Sindikata njoftoi javën e kaluar se më shumë se 1,100 punonjës do të bënin një ndalesë pune 24-orëshe duke filluar në orën 12.01 të së enjtes nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje kontrate.

NewsGuild shkroi në Twitter se punëtorët, “tashmë janë zyrtarisht në ndalim të punës, i pari i kësaj shkalle në kompani në katër dekada”.

Negociatat u zhvilluan të martën dhe disa të mërkurën, por palët mbetën shumë larg për çështjet duke përfshirë rritjen e pagave dhe politikat e punës në distancë.

Të mërkurën në mbrëmje sindikata tha përmes Twitter-it se një marrëveshje nuk ishte arritur dhe greva po vazhdonte.

Një zëdhënëse e Times, Danielle Rhoades Ha, tha në një deklaratë se ata ishin ende në negociata kur u thanë se greva po ndodhte.

“Është zhgënjyese që ata po ndërmarrin një veprim kaq ekstrem kur ne nuk jemi në një ngërç”, tha ajo.

Ishte e paqartë se si do të ndikohej mbulimi i edicionit të së enjtes, por mbështetësit e grevës përfshijnë anëtarë të tavolinës së lajmeve, e cila mbulon lajmet e fundit.

Punonjësit po planifikonin një tubim për atë pasdite jashtë zyrave të gazetës pranë Times Square.

Në një shënim dërguar stafit, zëvendës redaktori menaxhues, Cliff Levy, e quajti grevën e planifikuar “të çuditshme” dhe “një moment shqetësues në negociatat për një kontratë të re”.

Ai tha se do të ishte greva e parë që nga viti 1981 dhe “vjen pavarësisht përpjekjeve të intensifikuara nga kompania për të bërë përparim”.

Go to TOP