Për dhjetëra fëmijë me probleme në të folur kujdesen katër logopedë në QKUK
Vetëm katër logopedë që trajtojnë fëmijë me probleme në të folur, punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku shërbimet i ofrojnë falas.
Udhëheqësit e Shërbimit të Logopedisë thonë se kërkesat për seanca logopedie e tejkalojnë disponueshmërinë e specialistëve dhe kjo bën që pritjet e atyre në nevojë, të zgjaten.
Në institucionet private, seancat 2-3 herë në javë, për një muaj, janë tejet të kushtueshme për disa.
“Një logoped më ka kërkuar 500 euro në muaj”, tregon nëna e një vajze katër vjeçe, e cila ka vështirësi në artikulimin e fjalëve.
“Nuk kemi pasur mundësi t’ia ofrojmë, sepse në familjen tonë punon vetëm bashkëshorti me një pagë prej 350 eurosh në muaj”, thotë ajo, pa dashur të identifikohet.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në Shërbimin e Logopedisë në QKUK, ku po aranzhonte seancat për vajzën e saj.
Në listë të pritjes thotë se ishte për më shumë se një vit.
“Vajza e kupton bisedën, reagon kur e thërret, por nuk flet”, tregon e ëma.
Thotë se kur ishte tri vjeçe, e vogla shqiptonte vetëm fjalët mam’ dhe bab’ dhe se vazhdon të artikulojë vetëm një numër të kufizuar fjalësh.
Specialistët thonë se numri i fëmijëve me probleme në të folur është në rritje dhe këtë ia atribuojnë përdorimit të vazhdueshëm të pajisjeve teknologjike.
Këtë e pranon edhe nëna e 4-vjeçares.
“Pa i bërë një vit ia kam lënë telefonin, por jo shumë, një ose dy orë në ditë. Shumë ka dëshirë ta përdorë. Shikon filma të vizatuar”, thotë ajo.
Dhjetëra fëmijë në trajtim në QKUK
Ushtruesja e detyrës së shefes së Shërbimit të Logopedisë në QKUK, Zahide Uka Rraci, thotë se gjatë gushtit në këtë repart janë duke u trajtuar 72 fëmijë nga gjithë territori i Kosovës.
Me ta, thotë ajo, merren katër logopedë.
“Shumica e rasteve janë deri në moshën pesëvjeçare, të ndara në tri grupe. Shërbimet i marrin nga dy herë në javë”, tregon Uka Rraci.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo shpjegon se gjatë seancave të stimulimit, është vërejtur se përdorimi i teknologjisë dhe i aplikacioneve të ndryshme në gjuhën angleze, ka bërë që ata të kenë zhvillim të vonshëm në të folur.
Sipas saj, prindërit i ekspozojnë fëmijët përpara ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit me shpresën për t’i qetësuar, por ata “e dëmtojnë zhvillimin e tyre në të folur apo në të ndërvepruar me mjedisin”.
Uka Rraci thotë se kjo është problematike për faktin se “fëmija vetëm merr informacione” dhe “nuk jep përgjigje”.
“As telefoni, as televizori nuk i kërkon të shkëmbejë informata me të. Kështu, pastaj, shkaktohen vonesa apo hezitime në të folur”, thotë Uka Rraci.
Argumentet e saj i mbështet edhe Lekë Gjurgjiali, kryetar i Shoqatës së Logopedëve të Kosovës.
Sipas tij, përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike i bën fëmijët pasivë.
“Ata, shpeshherë, zgjedhin të komunikojnë në mënyre joverbale, ose kanë qasje pa zë”, thotë ai.
Kur duhet të flasin fëmijët?
Doktoresha Uka Rraci thotë se fëmijët nën moshën njëvjeçare flasin fjalë të ndara në rrokje si ‘ba-ba’ apo ‘ma-ma’, dëgjojnë kur flitet dhe kuptojnë disa fjalë.
Në moshën dyvjeçare, sipas saj, duhet të thonë fjali të shkurtra sikurse “erdhi mami”, kurse mbi moshën trevjeçare duhet të kenë fjalor më të pasur dhe të kuptohen nga të tjerët.
“Nëse një fëmijë nuk flet deri në moshën dyvjeçare, ai duhet të bëhet objekt vlerësimi”, thotë Uka Rraci.
Studime të ndryshme ndërkombëtare kanë treguar, po ashtu, lidhje mes kohës së shpenzuar në ekran dhe vonesave në të folur.
Njëriqë ka publikuar vitin e kaluar Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë, që është pjesë e Departamentit amerikan të Shëndetësisë, ka gjetur se “kur fëmijët kalojnë shumë kohë përpara ekranit, ata nuk ndërveprojnë me të tjerët” dhe kjo “i kufizon mundësitë e tyre për të mësuar fjalë të reja dhe për të zhvilluar aftësi komunikimi”.
“Kjo çon, pastaj, në fjalor të dobët, reduktime në vokalizimet e fëmijëve dhe vonesa ta përgjithshme në të folur, veçanërisht te fëmijët nën pesë vjeç”, thuhet në këtë studim.
Si duhet të stimulohen fëmijët?
Logopedia Uka Rraci thotë se metoda më e mirë për t’i stimuluar fëmijët që të flasin, është duke biseduar me ta gjatë gjithë kohës.
“Për shembull, nga fëmija mund përfitohen fjalë kur ai është i uritur. Kur kërkon ushqim, duhet të pyetet se çka do? A do bukë? Të përsëritet së paku tri herë dhe të pritet reagimi”, shpjegon ajo.
Edhe psikologia për fëmijë Majlinda Fetahu, njëherësh terapeute stimulimi, thotë se janë prindërit ata që duhet “t’i vendosin kufij” përdorimit të teknologjisë.
Sipas saj, fëmijëve më të vegjël se 18 muaj, duhet t’u ndalohet përdorimi i teknologjisë, përveç bisedave me video; fëmijët e moshës 18 deri në 24 muaj mund ta përdorin atë në sasi shumë të vogël, kryesisht për këngë, ndërsa fëmijët mbi 2 vjeç mund ta përdorin jo më shumë se një orë në ditë, së bashku me të rritur, në mënyrë që të flasin dhe të pyesin për atë që shohin.
Në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i fëmijëve me vonesa në të folur, por Uka Rraci thotë se në dy vjetët e fundit është rritur numri i atyre që presin për shërbime në QKUK.
Ajo vlerëson se autoritetet kompetente duhet të punësojnë më shumë logopedë në qendrat familjare dhe në institucionet edukative-arsimore në sektorin publik, ku shërbimet e tyre merren falas.
Në QKUK, të gjitha rastet që marrin shërbime, sipas saj, janë me kushte më të vështira ekonomike apo me asistencë sociale.
“Ata që kanë kushte më të mira financiare, drejtohen te sektori privat dhe nuk presin”, thotë Uka Rraci.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit nëse planifikojnë të rrisin numrin e logopedëve në kujdesin primar shëndetësor, përkatësisht në kopshte dhe shkolla, por nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.
Logopedët që punojnë në sektorin privat, licencohen nga Oda e Infermierëve e Kosovës, por as ajo nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa është numri i tyre.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë të licencuara 16 ambulanca private që ofrojnë shërbime të logopedisë.
REL-i kontaktoi disa nga to, ku iu tha se çmimet për shërbimet e logopedisë fillojnë nga 150 euro deri në 500 euro në muaj. Për krahasim, paga mesatare në Kosovë është rreth 520 euro.