Peci: Skena politike në Kosovë mes ri-inventimit dhe rrezikut të margjinalizimit

Analisti politik Lulzim Peci ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës nuk përbëjnë një fenomen të panjohur në politikën evropiane, por janë pjesë e një cikli që kanë kaluar shumë parti tradicionale në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas Pecit, fatet e partive politike tradicionale shpesh janë ndikuar nga rrethanat e qeverisjes, lidershipi, krizat e paparashikuara, harxhimi i kreditit politik, apo paaftësia për t’u rizbuluar në rrethana të reja politike dhe shoqërore.

Ai ka sjellë disa shembuj konkretë nga Evropa për ta ilustruar këtë fenomen. “PASOK-u i Greqisë nga 43.92 për qind në vitin 2009 ra në vetëm 4.68 për qind në vitin 2015, për të arritur rreth 12 për qind në vitin 2023. Partia Socialiste e Francës në vitin 2017 ra në 6.4 për qind, ndërsa në vitin 2022 në vetëm 1.75 për qind. Po ashtu, Aleanca e Demokratëve të Lirë në Hungari (SZDSZ), partia e parë antikomuniste që dha edhe presidentin e parë të zgjedhur me votë të lirë, Árpád Göncz, pushoi së ekzistuari në vitin 2013”, ka theksuar Peci.

Sipas tij, këto përvoja dëshmojnë se në politikë asgjë nuk është e garantuar dhe se të qenit parti tradicionale mund të ofrojë një avantazh fillestar, por kurrsesi siguri afatgjatë.

Duke folur për Kosovën, Peci ka vlerësuar se skena politike mbetet ende relativisht e re. Ai ka theksuar se dy parti politike nuk udhëhiqen më nga liderët e tyre themeltarë, ndërsa dy të tjera vazhdojnë të udhëhiqen nga themeluesit.

“Po hyjmë në një kapitull të ri të historisë politike të Kosovës, i cili partitë opozitare i vendos përballë dilemës mes ri-inventimit dhe margjinalizimit”, ka theksuar ai duke shtuar se e njëjta gjë mund t’i ndodhë edhe Lëvizjes Vetëvendosje, nëse qeverisja e saj dështon në ofrimin e rezultateve konkrete për qytetarët.

Në fund, Peci ka theksuar se edhe fjalëve, ashtu si veprave, në një moment të caktuar mund t’u harxhohet krediti politik. “Politika e ka një të keqe – ajo nuk e toleron overdraftin”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP