Peci paralajmëron tjetër kallëzim penal
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se do të deponojë kallëzim penal ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, pronarit të RTV Dukagjinit, Ekrem Lluka, dhe drejtuesit të emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri.
Reagimi i Pecit vjen pas deklaratave të bëra mbrëmjen e 11 nëntorit 2025 në emisionin “Debat Plus”, ku gazetari Lirim Mehmetaj e quajti atë “kriminel” dhe e krahasoi me Sllobodan Millosheviqin, të njohur si “Kasapi i Ballkanit”.
“Ky krahasim absurd dhe i qëllimshëm, i bërë publikisht në një televizion vendor, është ofendim i rëndë dhe fyerje ndaj meje si person, por edhe ndaj qytetarëve që i përfaqësoj, të cilët kanë vuajtur nga regjimi i kriminelit Millosheviq”, tha Peci.
Ai shtoi se deklarata të tilla përbëjnë rrezik për jetën e tij dhe të familjes, ngjallin urrejtje dhe cenojnë integritetin e tij personal e politik. “Ky pseudo-gazetar ka shprehur vazhdimisht gjuhë urrejtjeje dhe etiketime të papranueshme, në kundërshtim me çdo standard etik e profesional të gazetarisë”, theksoi Peci.
Sipas tij, kallëzimi penal do të bëhet për veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe veprat e tjera të përcaktuara në Kodin Penal të Kosovës. Ai theksoi se në një shtet demokratik, fjala e lirë nuk mund të keqpërdoret për shpifje dhe nxitje të urrejtjes.
Peci gjithashtu paralajmëroi se do të iniciojë procedura ligjore edhe ndaj RTV Dukagjinit dhe drejtuesve të tij, duke akuzuar se televizioni ka zhvilluar për më shumë se një vit e gjysmë “një fushatë të orkestruar për denigrimin e personalitetit të tij publik dhe politik”.
“Gjithçka ka ndodhur nën organizimin e Ermal Pandurit, por me dirigjim nga pronari Ekrem Lluka. Nuk është e mundshme që brenda një shtëpie mediale të zhvillohet një platformë e veçantë kundër një personi dhe pronari të mos ketë dijeni për këtë inxhiniering”, deklaroi Peci.
Në fund, ai theksoi se kallëzimi penal do të dorëzohet për të gjithë të përfshirët, me qëllim që, siç tha ai, “para gjykatës të japin llogari për gjuhën e urrejtjes, shpifjet, dhe fushatën e përçarjes që po zhvillohet kundër meje si figurë publike e politike, por mbi të gjitha si qytetar i këtij vendi”. /Kosova.info/
