Peci: Opozita, recidiviste në bllokim institucional

Bashkëkryesuesi i partisë “Guxo” dhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të opozitës duke i quajtur ato si sjellje recidiviste në dëm të shtetit dhe funksionimit demokratik. Pas refuzimit për të marrë mandatet dhe bllokimit të seancës së parë të Kuvendit, subjektet opozitare kanë bojkotuar edhe takimin e dytë konsultativ për të gjetur një zgjidhje institucionale.

Sipas Pecit, kjo është një sjellje e përsëritur që synon sabotimin e themelimit të institucioneve të reja duke e futur vendin në një krizë të thellë funksionale. “Me këtë qëndrim, opozita po e pamundëson çfarëdo procedimi të mëtejshëm dhe po e mban peng të ardhmen e vendit,” deklaroi ai.

Ai theksoi se sjellja e tillë nuk është shprehje e një opozite konstruktive, por një rrëshqitje e qëllimshme në spiralen e bllokimit dhe destabilizimit institucional, që dëmton interesin qytetar dhe proceset demokratike në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP