Peci: Moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit – gabimi më i madh gjeopolitik i Qeverisë Kurti
Analisti dhe diplomati Lulzim Peci ka reaguar me kritika të ashpra ndaj moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Qeveria aktuale e Kosovës duke e cilësuar këtë si “gabimin më të madh me pasoja afatgjata gjeopolitike” për vendin.
Peci theksoi se po të ishte zbatuar kjo marrëveshje, Kosova sot do të kishte përfituar në mënyrë të shumëfishtë duke përfshirë sigurimin e gazit natyror dhe shndërrimin në një nyje rajonale për shpërndarjen e tij drejt Shqipërisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë. Ai rikujtoi se në vitin 2021, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e quajtën këtë gaz si “gaz rus”, ndonëse burimi kryesor i tij do të ishte gazi i lëngshëm amerikan, që do të vinte përmes Greqisë.
“Për më tepër, ndoshta deri tani do të ishte në përfundim linja hekurudhore Prishtinë – Durrës, dhe do të kishim mbyllur edhe çështjen e menaxhimit të ujërave të Liqenit të Ujmanit me Serbinë,” u shpreh Peci. Ai shtoi se dokumenti i fizibilitetit për Ujmanin i hartuar nga SHBA-të nuk është shqyrtuar fare nga Qeveria e Kosovës duke u “hedhur në shportë”.
Sipas tij, është e qartë se Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar, madje as nuk ka nevojë për ndonjë vlerësim zyrtar për ta konstatuar këtë. “Nga qielli mund të shihet se ajo nuk është zbatuar,” përfundoi Peci. /Kosova.info/
