Peci: Fermerët që shkaktojnë zjarre të qëllimshme përjashtohen nga subvencionet për tri vite

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj fermerëve që shkaktojnë zjarre të qëllimshme në parcelat e punueshme. Pas mbledhjes së Qeverisë, gjatë një konference për media, Peci bëri të ditur se kushdo që përfshihet në zjarrvënie të qëllimshme do të përjashtohet nga programet e ardhshme të subvencionimit dhe granteve për tre vitet e ardhshme.

Ministri theksoi se djegia e hamulloreve dhe tokave bujqësore është një praktikë jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për mjedisin, por edhe për prodhimin bujqësor.

“Zjarrvënia varfëron tokën dhe shkakton dëme të pakthyeshme në aspektin mjedisor dhe material,” tha Peci, duke shtuar se kjo praktikë e gabuar ndikon negativisht në florën dhe faunën, si dhe rrezikon pronat afër zonave të zjarrit.

Ai theksoi se është në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe inspektorët e mjedisit për të ndjekur dhe ndëshkuar çdo rast zjarrvënieje të qëllimshme.

Ministri Peci përsëriti apelin e tij për fermerët që të shmangin këtë praktikë të dëmshme dhe të ndjekin mënyra të përgjegjshme për menaxhimin e tokave bujqësore. /Kosova.info/

Go to TOP