Peci: Duhet marrëveshje politike, partitë t’i thirrin arsyes
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në konferencë për media pas takimit që patën me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Unë kam pasur një propozim dhe situata që duhet ofruar sipas ‘Guxo’ është që të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetares apo kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk mund të tjetërsohet në asnjë variant. Ne kemi një kryeministër në detyrë dhe një kryetar të LVV-së që në historinë e Kosovës ka legjitimitetin më të madh qytetar”, tha Peci.
Peci tha se partitë duhet t’i thirrin arsyes, e të vazhdohet me tentativa të radhës në mënyrë që në ditët e javët në vijim të ketë një Kuvend të konstituuar.
Mimoza Kusari – Lila nga partia Alternativa, gjithashtu në koalicion me LVV-në, ka insistuar se në asnjërin paragraf nuk është e specifikuar se “mbarëvajtja e seancës së deritashme ka shënuar diku shkelje”.
“Gjykata Kushtetuese, nëse ka dashur të ofrojë rrugë për një proces që është në vazhdim, nuk ka dhënë rrugë. Në fund e ka ofruar një mundësi për interpretime edhe më të larmishme, deri aty sa kemi pasur deklarata që nëse vazhdohet me seancën sikurse deri më tani, do të ketë pasoja, por nuk dihet se cilat janë ato”, ka thënë Kusari – Lila.
