PDK: U shmang një nga shkeljet më të rënda kushtetuese, tani radha e qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit duke vlerësuar se është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë në vend.

Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë mbrojtur.

Në reagim, kjo parti e ka bërë përgjegjës pushtetin aktual për krizën e krijuar duke e cilësuar si shkaktar të krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisjes, krizave ekonomike dhe shpërdorimit të besimit të qytetarëve.

PDK ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes që, në përputhje me Kushtetutën, të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Po ashtu, PDK u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që përmes votës së tyre të refuzojnë, siç thuhet në reagim, logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale. /Kosova.info/


Go to TOP