PDK në Gjakovë premtoi 2.5 milionë euro buxhet për bujqësi
Në tubimin me qytetarë e mbështetës të PDK-së, kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi, tha se Gjakova ka qenë dhe mbetet ndër qytetet që ka dhënë shumë për vendin, prandaj është koha që të punohet me punë e vepra për të ardhmen e banorëve të kësaj komune.
Ai theksoi se Gjakova ka kapacitet për zhvillimin e shumë sektorëve dhe mundësi të panumërta, sidomos për të rinjtë.
“Po vijmë për më shumë punë, besojmë për politikën që ofron mundësi, sidomos për të rinjtë që të rrinë këtu e mos të dalin jashtë. Ju ftoj të gjithë të mbështesni këtë energji të re që po ngritët në Gjakovë sepse Ervini nuk po garon për pushtet, por për energji,” deklaroi Krasniqi.
Ervin Shabani, kandidat për kryetar të Gjakovës, premtoi ndryshim rrënjësor të komunës gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare, në të mirë të qytetarëve, dhe tha se do ta bëjë Gjakovën shembull për qytetet tjera.
Ai u shpreh se do të ketë shkolla me tabela digjitale, biblioteka elektronike, mësim tërëditor, më shumë aktivitete dhe kohë për të mësuar, bursa për studentë dhe nxënës në fusha deficitare, shëndetësi më të mirë, barnatore 24 orë në çdo zonë të qytetit, 250 euro për çdo fëmijë të porsalindur, zhvillim ekonomik, tri qendra multifunksionale dhe mbështetje për bizneset e reja. Shabani tha se Gjakova do të bëhet vend ku idetë nuk mbesin ëndrra, duke përfshirë bujqësi dhe zhvillim rural, pasi Gjakova ka tokë të begatshme.
PDK në Gjakovë premtoi 2.5 milionë euro buxhet për bujqësi, mbi 1,700 euro për secilin fermer, rregullim të trotuareve, kanalizim, infrastrukturë digjitale në çdo shkollë, zhvillim të agroturizmit dhe rregullimin e rrugës së Bjeshkës së Botusgës.
Në tubim u prezantua edhe lista prej 39 kandidatëve për asamblenë komunale të Gjakovës nga radhët e PDK-së. /Kosova.info/
