PDK: Kuvendi nuk është i konstituuar, VV po e shtyn Kosovën drejt krizës institucionale
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas shpalljes së përfunduar të konstituivit të Kuvendit nga Kryetari i tij, duke e cilësuar këtë veprim të paplotë dhe në kundërshtim me Nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës. Sipas PDK-së, Kuvendi ende nuk është konstituuar pasi nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese.
Në këtë kuadër, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takime të Kryesisë, të cilën ajo nuk e njeh si të ligjshme dhe nuk do të marrë pjesë në mbledhje që, sipas saj, i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit.
“Zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve, të shkaktuara nga partia e parë, janë skajshmërisht të rrezikshme për Republikën e Kosovës,” thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia thekson se, ndonëse nuk kishte detyrim kushtetues apo politik, mori përgjegjësinë institucionale duke votuar për Kryetarin e Kuvendit, vetëm për të zhbllokuar funksionimin e institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
Megjithatë, PDK akuzon Vetëvendosjen se përmes “veprimeve populiste dhe skemave obstruksionuese” po dëshmon frikën nga hyrja në afatet kushtetuese për krijimin e qeverisë së re. Sipas kësaj partie, kjo qasje po e shtyn Kosovën drejt një krize të re institucionale, pasojat e së cilës do t’i bartin shteti dhe qytetarët. /Kosova.info/
