PDK e hapur për dialog: Qeveria e re duhet të vijë nga opozita e djeshme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike, krizës institucionale që ka përfshirë vendin dhe mundësive për tejkalimin e saj përmes bashkëpunimit ndërpartiak.
Në një komunikatë për media, PDK ka theksuar se Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale, për të cilën ka bërë përgjegjëse koalicionin fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit, që sipas saj, nuk ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare dhe po e mban vendin peng për interesa të ngushta partiake.
“Çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës institucionale meriton të dëgjohet dhe diskutohet,” thuhet në deklaratë duke bërë të ditur se PDK ka zhvilluar takime me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e konsideron si përgjegjëse kryesore për situatën aktuale.
PDK ka bërë thirrje që Presidentja e Republikës të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një tryeze gjithëpërfshirëse me të gjitha subjektet parlamentare, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike. Partia është shprehur e bindur se formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë në mandatin e kaluar do të ishte rruga e duhur për të rikthyer funksionalitetin institucional, për të ndalur degradimin dhe për të çuar Kosovën drejt integrimit euroatlantik.
Në fund, PDK ka kërkuar nga koalicioni VV-GUXO-Alternativa që të mos abuzojë më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e Kryetarit të Kuvendit dhe të pranojë realitetin politik aktual.
“PDK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në një proces demokratik dhe kushtetues që çon drejt zgjidhjes. Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më parë. Kosova meriton më shumë. Kosova mundet më mirë,” përfundon komunikata. /Kosova.info/
