Pati një anomali”, aeroplani me 113 pasagjerë përfshihet nga flakët gjatë ngritjes në një aeroport të Kinës

Një aeroplan i Tibet Airlines është përfshirë nga flakët pasi doli nga pista në qytetin jugperëndimor kinez të Chongqing të enjten në mëngjes.

Sipas mediave të huaja, të 113 pasagjerët dhe nëntë anëtarët e ekuipazhit u “evakuuan në mënyrë të sigurt”, tha linja ajrore në një deklaratë.

Më shumë se 40 pasagjerë me lëndime të lehta u dërguan në spital, sipas një deklarate nga Aeroporti Ndërkombëtar Chongqing Jiangbei.

Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) tha se 36 persona pësuan “mavijosje dhe ndrydhje gjatë evakuimit”.

“Sipas ekuipazhit të fluturimit, aeroplani pati një anomali gjatë ngritjes. Ata e ndaluan ngritjen pas procedurave”, tha CAAC. “Pasi aeroplani doli nga pista, motori u ‘ngjit’ për tokë dhe u përfshi nga flakët. Zjarri është shuar”.

Shkaku i aksidentit është nën hetim dhe operacionet e fluturimit në aeroport janë kthyer në normalitet, ka bërë të ditur aeroporti. 

Go to TOP