Pas rritjes së pensioneve, kërkohet rritja e pagave në sektorin publik për 35%

Qeveria e Kosovës vendosi të hënën të rrisë pensionet me 20%, por kjo nuk i ka kënaqur përfaqësuesit e pensionistëve që mendojnë se rritja nuk përputhet me inflacionin e lartë. Në të njëjtën kohë, ka nisur kërkesa për rritjen e pagave në sektorin publik.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kërkuar një rritje të koeficientit për pagat me 30%, duke shprehur shqetësim për vështirësinë e jetesës me pagat aktuale dhe rritjen e çmimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike të Kosovës (SPAK), Ali Gashi, ka bërë thirrje për rritje të koeficientit për 35%, duke theksuar se Qeveria është e detyruar të trajtojë këtë çështje çdo vit sipas ligjit të pagave.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka sugjeruar që koeficienti i pagave të rritet çdo vit për t’iu përshtatur inflacionit dhe situatës ekonomike. Për zjarrfikësit, Muharrem Beka kërkon që koeficienti të jetë 150 euro, por shpreh pakënaqësi që kjo kërkesë nuk po merret parasysh nga Qeveria.

Ndërkohë, rritja e fundit e koeficientit për 110 euro ka përfituar më shumë ata me pagat më të larta, ku Presidentja e Kosovës ka marrë 90 euro shtesë, Kryetari i Kuvendit 87.5 euro dhe Kryeministri 85 euro. Rritja më e vogël është për ushtarët e FSK-së, policët dhe zjarrfikësit, të cilët kanë përfituar 25 euro më shumë.

Go to TOP