Pas raportimit të REL-it, dy toksikologët e Biokimisë transferohen në tjetër departament

Dy toksikologët e Klinikës së Biokimisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, do të zhvendosen prej aty, pas raportimit të Radios Evropa e Lirë se të dy ata nuk e kanë kryer punën e tyre, për të cilën kanë pasur kontratë nga viti 2021.

Për raportimin më 7 maj, Islami dhe Bajraktari – të vetmit toksikologë në QKUK – kanë pranuar se nuk i kryejnë detyrat e tyre, duke thënë se nuk kanë kushte për trajtimin e rasteve toksikologjike.

“Pas raportimit tuaj, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka shqyrtuar rastin e toksikologëve në Klinikën e Biokimisë dhe ka vendosur që të dy ata të transferohen menjëherë në Barnatoren Qendrore të ShSKUK-së, për t’i kryer detyrat që u takojnë me kontratë”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Transferimi, sipas tij, do të jetë i përkohshëm, deri në themelimin e laboratorit të toksikologjisë në kuadër të Klinikës së Biokimisë.

Azizi shtoi se edhe për drejtorin e Biokimisë, Shemsi Veseli, tash për tash, janë duke u shqyrtuar disa rregullore, pasi në një periudhë kohore “ai e kishte njoftuar ShSKUK-në për mospunën dhe mosangazhimin e toksikologëve”.

Departamenti ligjor i ShSKUK-së konfirmoi për REL-in se është duke u marrë me rastin në fjalë, përkatësisht “duke vlerësuar dhe identifikuar përgjegjësinë individuale”.

Islami dhe Bajraktari kanë nënshkruar kontratë me ShSKUK-në nga marsi i vitit 2021 dhe që nga ajo kohë kanë marrë pagë prej më shumë se 1.200 eurosh në muaj.

Udhëheqja e ShSKUK-së, ndërkohë, është ndërruar dhe Azizi, i cili ka marrë detyrën rreth një vjet më parë thotë se, deri vonë, nuk ka qenë në dijeni për rastin e tyre.

REL-i ka biseduar edhe me ish-drejtorin e ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili i ka nënshkruar kontratat me toksikologët në fjalë, por ai ka thënë se “nuk i kujtohet koha kur janë nënshkruar ato”.

Ekipi i REL-it ishte i pranishëm në Klinikën e Biokimisë edhe të martën më 14 maj, ku pa se Islami dhe Bajraktari ishin nënshkruar në fillim dhe në fund të orarit të punës.

Go to TOP