Pas 26 vitesh pritjeje, identifikohen tri viktima të Masakrës së Kralanit

Pas më shumë se dy dekadash ankthi dhe kërkimi, familjet Kryeziu dhe Halilaj u informuan zyrtarisht për identifikimin e mbetjeve mortore të tre të dashurve të tyre, viktima të Masakrës së Kralanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Identifikimi i Sabedin Kryeziut (nga Mleqani), Mentor Kryeziut (nga Bubaveci) dhe Vehbi Halilajt (nga Llapqeva) erdhi pas analizave të kryera mbi eshtrat e zhvarrosura nga varri masiv në Bishtazhin në vjeshtën e vitit 2023. Këto janë tri nga viktimat e masakrës, duke iu shtuar tetë identifikimeve të mëparshme që u konfirmuan javën e kaluar.

Në njoftimin zyrtar ishin të pranishëm përfaqësues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Zyra për Personat e Zhdukur, Shoqata “Kujtesa” dhe Komuna e Malishevës, të cilët ndanë dhimbjen dhe solidaritetin me familjet.

Kushtrim Gara, përfaqësues nga Zyra për Personat e Zhdukur, theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve:

“Këto identifikime sjellin fundin e një pritjeje të dhimbshme për familjet, por edhe nënvizojnë përgjegjësinë tonë për të mos ndalur kërkimin për çdo person ende të zhdukur.”

Kujtimi i Vehbiut, Mentorit dhe Sabedinit do të mbetet përherë pjesë e historisë dhe sakrificës së Kosovës.

Lavdi e përjetshme! /Kosova.info/


Go to TOP