Paris Guri ‘godet’ bashkëpartiakët që po kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke kritikuar zërat brenda partisë që, sipas tij, nuk ishin aktivë gjatë fushatës, por janë bërë më të zëshmit pas zgjedhjeve.

Ai tha se rritja e LDK-së erdhi falë punës së kryetarit, aktivistëve dhe strukturave që kontribuuan në terren.

Guri theksoi se LDK-ja u forcua përmes bashkimit dhe angazhimit të atyre që punuan vazhdimisht për ngritjen e saj.

Postimi i plotë:

Interesante se si, për tri palë zgjedhje radhazi, sapo përfundon procesi zgjedhor, më të zëshmit bëhen pikërisht ata që nuk i sheh askund gjatë fushatës. Nuk i sheh në terren, nuk i sheh në organizim, nuk i sheh në asnjë betejë politike. Përkundrazi, i dëgjoje nëpër qoshe duke folur me më shumë pesimizëm për LDK-në sesa vetë kundërshtarët tanë.

Kontributi i tyre në betejë, në rastin më të mirë, ishte zero, por ambicia për të dhënë leksione pas rezultatit është gjithmonë maksimale.

LDK-ja u rrit në kohë rekord. U rrit falë besimit tuaj, falë përkushtimit dhe vizionit të kryetarit të LDK-së, falë punës së atyre që ishin në ballë të betejës, falë bashkimit dhe falë aktivistëve tanë që, pa u kursyer asnjëherë, trokitën në çdo derë, takuan çdo qytetar dhe mbajtën gjallë frymën e LDK-së, kur shumë të tjerë kishin zgjedhur vetëm të komentonin dhe të prisnin fundin e procesit për t’i bërë publike po ato komente.

LDK është dashni. LDK është e atyre që nuk u ndalën asnjëherë së punuari për ngritjen e saj.

Go to TOP