Pakënaqësi me orarin, prindërit e nxënësve të klasës së dytë të shkollës “Dardania” paralajmërojnë bojkotim të mësimit nga dita e hënë

Prindërit e nxënësve të klasës II/4 në SHFMU “Dardania”, në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me orarin e propozuar për vitin shkollor 2024/2025, i cili vendos orarin për fëmijët nga ora 15:00 deri në 18:25.

Në letrën që kanë bërë prindërit thuhet se orari i vendosur është i papranueshëm për ta.

“Ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët tanë të vegjël, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore. Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qendrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite. Është shkencërisht e vërtetuar se orare të tilla nuk janë efektive për fëmijët, pasi çrregullojnë procesin e mësimnxënies”, thuhet në reagimin e prindërve.

Më tej, theksohet se edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.”

“Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë. Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, vijon reagimi i tyre.

Lidhur me pakënaqësitë e shprehura për Telegrafin ka folur edhe Besarta Rrahmani, kryetare e grupit të prindërve.

Ajo theksoi se ky orar nuk do të pranohet nga ta.

“Bazuar në shkresën të cilën e kemi dërguar te ju dhe te mediat tjera, ne nuk e pranojmë orarin prej orës 15:00 për fëmijët tanë. Fëmijët janë në klasën e II-të dhe janë shumë të vegjël të jenë larg prindërve, duke e pasur parasysh që prindërit janë në punë dhe fëmijët duhet t’i dërgojmë në qëndrim ditor pastaj nga qëndrimi ditor në shkollë”, u shpreh ajo.

Go to TOP